Çmontohet rrjeti i drogës në Itali, në pranga 8 shqiptarë
Operacionet antidrogë në zonën e Teramos, Itali, kanë vijuar për disa ditë me radhë, duke çuar në arrestimin e nëntë personave, mes tyre tetë shtetas shqiptarë dhe një italian. Aksioni u zhvillua nga Karabinierët dhe Njësia Hetimore e Operacioneve, në zbatim të urdhrave të lëshuara nga Prokuroria.
Fillimisht u arrestuan dy çifte shqiptarësh, ndërsa më pas numri i të ndaluarve u rrit në tetë shqiptarë, katër prej të cilëve gra, dhe një shtetas italian.
Hetimet nisën në vitin 2024, pas arrestimit në Roseto degli Abruzzi të një trafikanti lokal, në posedim të 1.2 kilogramëve kokainë dhe 40 mijë eurove në para të gatshme. Ky arrestim zbuloi një rrjet të mirëorganizuar të trafikut të drogës, i cili shtrihej përgjatë bregdetit të Teramos dhe përfshinte qytete si Roseto degli Abruzzi, Pineto, Tortoreto, Ancarano dhe Sant’Omero.
Sipas autoriteteve italiane, rrjeti përbëhej nga dy familje shqiptare të lidhura mes tyre, të specializuara në paketimin dhe shpërndarjen e drogës te një klientelë e gjerë, e cila në shumicën e rasteve nuk kishte dyshime për aktivitetin kriminal.
Shitjet e drogës kryheshin kryesisht përmes kontakteve të drejtpërdrejta dhe takimeve personale në ambientet e jetës së natës. Gjatë hetimit, karabinierët dokumentuan mbi 100 raste të shitjes së kokainës, si dhe arrestuan një italian të përfshirë në rrjet, tek i cili u gjetën 800 gramë kokainë.
Në vijim të kontrolleve, autoritetet sekuestruan edhe 300 gramë të tjera lëndë narkotike dhe 40,700 euro në cash, të fshehura në një fund të rremë të përgatitur për të shmangur zbulimin nga policia.
Media italiane ka publikuar detaje të reja mbi hetimin dhe pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të tjera në lidhje me këtë rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


