E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dalin detaje të reja nga incidenti në Jug, jahti sapo kishte ardhur nga Italia
Lajme

Dalin detaje të reja nga incidenti në Jug, jahti sapo kishte ardhur nga Italia

Një incident i dyshimtë me të shtëna armësh pranë bregut të Palasës ka vënë në lëvizje autoritetet, duke sjellë në qendër të hetimeve një jaht luksoz në pronësi të Bruno Çelës, djali i biznesmenit Geront Çela, pronar i kompanisë “Brunes”.

Sipas burimeve, mjeti lundrues kishte mbërritur nga Italia vetëm pak minuta përpara se pushuesit të sinjalizonin për të shtëna me armë në zonë. Policia Kufitare e Vlorës reagoi menjëherë duke regjistruar hyrjen e jahtit në ujërat shqiptare dhe duke identifikuar personat që ndodheshin në bord.

Pas rreth dy orësh ndjekjeje në det, jahti u ndalua në afërsi të Himarës. Gjatë kontrollit nuk u gjet asnjë armë zjarri, ndërsa katër personat në bord u shoqëruan për verifikime. Ata kanë mohuar çdo përfshirje në të shtëna dhe, me vendim të prokurorit, janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje.

Megjithatë, hetimet vijojnë. Autoritetet kanë marrë mostra nga duart e personave për analizë të mbetjeve të barutit, një ekspertizë që pritet të hedhë më shumë dritë mbi atë që ndodhi realisht në det.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se gjatë ndjekjes ka pasur përpjekje për t’iu shmangur policisë, ndërsa në një moment janë fikur edhe dritat e jahtit, duke rritur dyshimet mbi sjelljen e personave në bord.

Në jaht ndodheshin Bruno Çela, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës nën siglën e PSD-së, biznesmeni i ndërtimit Pashk Gjini, Afrim Kastrati dhe Leonard Hasa. Hetuesit po shqyrtojnë disa pista, përfshirë mundësinë që të shtënat të mos jenë kryer nga personat në bord, por nga individë të tjerë që mund të kenë hipur gjatë lundrimit ose nga mjete të tjera lundruese pranë zonës.

Ndërkohë, çështja është marrë në dorë nga Prokuroria e Vlorës, e cila pritet të vijojë me veprime të tjera hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.