E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dalin pamjet kur ish-shefja e financës merr para nga arka me thes
Lajme

Dalin pamjet kur ish-shefja e financës merr para nga arka me thes

Publikohen për herë të parë pamjet nga ambientet e brendshme të Postës Shqiptare në Durrës, të cilat lidhen me skandalin financiar që ka çuar në arrestimin e ish-drejtoreshës së filialit, Elisabeta Mataj, si dhe në masën “arrest në shtëpi” për ish-shefen e financave, Valbona Duni dhe ish-arkëtaren Paola Dana.

Në pamjet e transmetuara nga “TCH”, shfaqet momenti kur ish-shefja e financës, Valbona Duni, futet në arkën e filialit, merr një shumë parash dhe i vendos ato në një thes, për t’u larguar më pas nga ambientet. Videoja përfshin edhe momente të tjera nga zyra, ku Duni shihet me dokumente në duar, duke komunikuar me ish-arkëtaren Paola Dana.

Kallëzim i ri penal dhe akuza për pasuri të pajustifikuar

Zhvillimet e fundit tregojnë se çështja ka marrë një tjetër drejtim hetimor pas vendosjes së masës së sigurisë ndaj Valbona Dunit. Dy ditë pas vendimit të gjykatës, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së filialit, Feta Mataj, ka depozituar një kallëzim penal në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, duke ngritur akuza të reja ndaj ish-shefes së financës.

Në kallëzimin e dorëzuar më 20 korrik, ai pretendon se bashkëshortja e tij, Elisabeta Mataj, është bërë përgjegjëse padrejtësisht për skandalin, ndërsa kërkon që hetimet të përqendrohen edhe tek Valbona Duni.

Sipas pretendimeve të tij, verifikimet e kryera në mënyrë private kanë nxjerrë dyshime për një pasuri të konsiderueshme të krijuar nga Duni, e cila, sipas tij, nuk përputhet me të ardhurat e deklaruara, një pagë mujore rreth 60 mijë lekë.

Dyshime për pastrim parash dhe pasuri luksoze

Në kallëzim theksohet se ish-shefja e financës dhe familjarët e saj disponojnë automjete luksoze të viteve të fundit, me vlera që arrijnë në qindra mijëra euro, si dhe disa apartamente në Durrës dhe Tiranë. Gjithashtu përmenden edhe biznese të hapura në vitet e fundit, të cilat, sipas kallëzuesit, mund të jenë përdorur për të justifikuar të ardhura të paligjshme.

Këto rrethana kanë ngritur dyshime për veprën penale të pastrimit të parave, ndërsa kërkohet që të hetohet burimi i pasurisë dhe aktiviteti ekonomik i familjarëve të saj.

Një tjetër element i përmendur është rritja e ndjeshme e pasurisë pas vitit 2020, periudhë që përkon me administrimin e fondeve të rindërtimit pas tërmetit nga Posta Shqiptare. Sipas kallëzimit, kjo periudhë duhet të jetë objekt verifikimi nga organet e drejtësisë.

Hetimet pritet t’i kalojnë Prokurorisë

Në kallëzim kërkohet që të hetohet nëse ka pasur bashkëpunim në menaxhimin e fondeve publike gjatë viteve të fundit, si dhe të kryhet një hetim i plotë pasuror dhe financiar për Valbona Dunin dhe familjarët e saj.

Po ashtu, Feta Mataj pretendon se bashkëshortja e tij kishte raportuar më herët problematika në sektorin e financës, të cilat, sipas tij, nuk janë marrë në konsideratë nga drejtuesit përkatës.

Ndërkohë, Policia e Durrësit ka bërë me dije se kallëzimi penal pritet t’i referohet Prokurorisë, e cila do të vlerësojë nëse do të nisë një procedim penal dhe hetime të mëtejshme mbi akuzat e ngritura.

Pamjet e publikuara nga TCH:

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.