Dasma e familjes Kola kthehet në makth nga shpërthimi i bombolës
Prag dasme i kthyer në tragjedi, shpërthen bombola e gazit në banesë dhe plagosen gjashtë familjarë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Markatomaj të Lezhës, ku shpërthimi i një bombole gazi në një banesë dykatëshe ka plagosur gjashtë anëtarë të familjes Kola.
Ngjarja bëhet edhe më tragjike pasi familja po përgatitej për dasmën e vajzës, e cila ishte planifikuar të zhvillohej ditën e nesërme. Përgatitjet festive janë ndërprerë në mënyrë dramatike pas shpërthimit.
Tre prej të plagosurve raportohet se ndodhen në gjendje kritike për shkak të djegieve të shumta. Kryefamiljari, Saimir Kola, është transportuar me urgjencë drejt Tiranës për trajtim të specializuar.
Mes të lënduarve janë edhe dy fëmijë, të cilët fatmirësisht kanë pësuar djegie më të lehta.
Fqinjët dhe familjarët kanë ndërhyrë menjëherë për të transportuar të plagosurit drejt spitalit. Sipas raportimeve, ambulanca është vonuar në mbërritjen dhe transportimin e të lënduarve.
Shpërthimi i fuqishëm ka shkaktuar gjithashtu dëme të konsiderueshme materiale në banesë. Autoritetet po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



