Debatet në Kuvendin e MV për votimin e Qeverisë së re, koalicioni VLEN do të drejtojë gjashtë ministri

Ka nisur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut seanca për votimin e Qeverisë së re, që do të drejtohet nga Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së, partisë e cila fitoi zgjedhjet e rregullta parlamentare që u mbajtën më 8 maj.

afrim

Mickoski pritet të sqarojë programin dhe propozimin për përbërjen e qeverisë, pas së cilës duhet të fillojë debati për propozimin.

Sipas Rregullores së Kuvendit, seanca është paraparë të zgjasë maksimumi dy ditë, përkatësisht të përfundojë më së voni deri në mesnatën e nesërme.

Qeveria do të zgjidhet nëse pro votojnë shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Qeveria e re do t’i ketë 24 ministri, apo katër më shumë sesa përbërja e deritashme, ndërsa pjesë e saj, përveç VMRO DPMNE-së, do të jetë koalicioni VLEN, që e përbëjnë katër parti shqiptare dhe partia ZNAM, të cilën e përbëjnë ish-anëtar të Lidhjes Socialdemokrate (LSDM).

Këto parti kanë një shumicë parlamentare prej 78 deputetëve nga 120, sa numëron gjithsej Kuvendi.

Për zgjedhjen e Qeverisë së re duhet të votojnë 61 deputetë, ndërsa sipas rregullores së Kuvendit, debati nuk mund të zgjasë më shumë se dy ditë.

Në fjalimin para deputetëve, i nominuari për kryeministër, Hristijan Mickoski do të prezantojë ministrat e kabinetit qeveritar dhe programin e punës.

Sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe integrimi evropian i vendit, do të jenë prioritetet kryesore të punës së Qeverisë, sipas Mickoskit.

VMRO DPMNE-ja, ka garuar në zgjedhje me atë që njihet si programi #1198 – si referencë për numrin e projekteve në sfera të ndryshme që tani janë pjesë e programit të punës.

Edhe partitë shqiptare të koalicionit VLEN, që do të jenë pjesë e Qeverisë së re, janë zotuar se do të kenë një qasje të ndryshme nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila ishte në pushtet që nga viti 2002.

Izet Mexheti, i cili në Qeverinë e re do të jetë zëvendëskryeministër i parë, ka thënë se “puna dhe jo demagogjia” do të jenë parimet mbi të cilat do të angazhohen ministrat shqiptarë në Qeveri.

Ndarja e ministrive në Qeverinë e re

VMRO DPMNE-ja, dhe partnerët e saj të koalicionit “Maqedonia Ime”, do të kenë numrin më të madh të ministrive, gjithsej 16.

Ministër i Punëve të Brendshme është propozuar, Pançe Toshkoski ndërsa i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë pritet të drejtohet nga Timço Mucunski, ndërsa Ministria e Transportit nga Aleksandar Nikollovski, i cili është propozuar edhe për zëvendëskryeministër.

Ministrinë e Financave do ta udhëheqë Gordana Dimitrieska-Koçoska, ndërsa të Energjetikës, Sanja Bozhinovska, dhe të Arsimit, Vesna Janevska.

Ivan Stoilkoviq nga Partia Demokratike Serbe do të drejtojë Ministrinë për Marrëdhënie mes Bashkësive Etnike.

Caktimi i Stoilkoviqit për ministër ka nxitur reagime të shumta pasi Stoilkoviq konsiderohet i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentin e Republikës Sërpska të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodikun, si dhe kultivon marrëdhënie të mira me Rusinë.

Forca e partive shqiptare në Qeverinë e re

Koalicioni VLEN, që përbëhet nga katër parti shqiptare, në Qeverinë e re do të drejtojë gjashtë ministri.

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Ekologjisë pritet të jetë Izet Mexhiti.

Besar Durmishi do të drejtojë Ministritë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, ndërsa Fatmir Limani, Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës.

Arben Taravari është propozuar për ministër të Shëndetësisë, ndërsa Arben Fetai për zëvendëskryeministër.

Orhan Murtezani pritet të drejtojë Ministrinë e re për Eurointegrime.

Pjesëmarrja e koalicionit VLEN në Qeveri, për Bashkimin Demokratik për Integrim është jolegjitime, pasi BDI-ja, e cila drejton Frontin Evropian, thotë se opozita e deritanishme shqiptare ka humbur zgjedhjet më 8 maj, andaj edhe nuk mund t’i përfaqësojë shqiptarët.

BDI-ja pretendon se VLEN-i i ka “dëmtuar interesat shqiptare” duke pranuar rolin e “vasalit” në Qeverinë e Mickoskit.

Por, nga koalicioni VLEN thonë se BDI-ja në zgjedhje ka marrë vota nga të gjitha bashkësitë etnike me të cilat ishte në koalicion, andaj edhe nuk mund të pretendojë në legjitimitetin e votës shqiptare.

BDI-ja ishte pjesë e Qeverive të Maqedonisë së Veriut, qoftë me VMRO DPMNE-në apo LSDM-në, që nga viti 2002./REL

Publikuar nga Publik Media