Deklarata e fortë e deputetit: Rama ka dashur që Thaçi të dënohet!
Një debat me tone të forta është zhvilluar në Kuvend mes kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe deputetit të Partisë Mundësia, Erald Kapri, gjatë diskutimeve për deklaratën e Kuvendit lidhur me UÇK-në dhe vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Pjesë e përplasjes u bë edhe mungesa e kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, në sallën e Kuvendit.
Kapri kishte kërkuar që deklarata për UÇK-në të diskutohej dhe miratohej në një moment kur të ishte i pranishëm edhe Shehaj. Kërkesa solli reagimin e Ballës, i cili e ironizoi deputetin e Mundësisë dhe kundërshtoi rihapjen e diskutimit pasi çështjet procedurale ishin votuar.
“Mund të jemi i vetmi parlament në botë, që pasi bëjmë votimin, i kthehemi dhe njëherë diskutimit. Unë sqarova pse çështja duhet të jetë në rendin e ditës. Pasi bëhet votimi, nuk ka më diskutim”, deklaroi Balla.
Ai vijoi duke ironizuar kërkesën për praninë e Shehajt.
“Del një deputet dhe thotë se duhet të jetë Agron Shehaj në parlament që të votojë dhe ai, deri këtu arrin. Kur thuhet se mos votoni deklaratën për Kosovën se mungon Agron Shehaj, të vjen dy herë të plasësh”, u shpreh kreu i grupit parlamentar socialist.
Pas Ballës reagoi Erald Kapri, i cili akuzoi mazhorancën se nuk po tregohej e sinqertë në qëndrimin e saj ndaj Kosovës dhe UÇK-së.
Kapri kërkoi që për mbrojtjen e çështjes së ish-krerëve të UÇK-së në procesin e Apelit të sigurohen edhe fondet e nevojshme, duke argumentuar se një deklaratë politike nuk mjafton.
“Elita këtu dhe Edi Rama ka dashur që Thaçi të dënohet dhe ka lot krokodili. Dalin këtu e flasin me gjuhë dhune kundër opozitës. Çfarë janë këto deklarata? Duhen para, duhet buxhet që të mbrohet çështja e UÇK-së në Apel”, deklaroi Kapri.
Deputeti i Mundësisë e zhvendosi më tej debatin te protestat që po zhvillohen jashtë Kuvendit, duke akuzuar mazhorancën se po shmang përballjen me reagimin e protestuesve.
“Vijnë fshehtas në parlament se kanë frikë nga vezët e protestuesve. Ka dalë rinia në shesh e ju ka dalë boja”, tha Kapri.
Debati u zhvillua në një seancë ku deklarata për UÇK-në dhe qëndrimi i Kuvendit pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës u kthyen në një nga pikat kryesore të përplasjes mes mazhorancës dhe deputetëve të opozitës. Raportimet e seancës konfirmojnë se Kapri kërkoi përfshirjen e të gjithë zërave parlamentarë në deklaratë, ndërsa debati u shoqërua me replika të forta politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



