Deklarata e fortë: SPAK ka prova që Balluku po intimidon dëshmitarët
Drejtuesi i Departamentit “BrainGain” në Partinë Demokratike, Tedi Kopliku, ka kritikuar ashpër mazhorancën për shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku pritej të shqyrtohej kërkesa për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku. Kopliku e cilësoi të pajustifikuar arsyen e dhënë nga maxhoranca për këtë shtyrje.
Sipas tij, pretendimi se duhet pritur një vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë bazë ligjore, pasi çështja që pritet të shqyrtohet në Kushtetuese lidhet me pezullimin nga detyra, ndërsa Këshilli i Mandateve ka kompetencë të drejtpërdrejtë për vendimin mbi heqjen e imunitetit.
Kopliku deklaroi se Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) disponon prova që, sipas tij, tregojnë se Belinda Balluku ka ndërhyrë dhe vijon të ndërhyjë në proces, duke intimiduar dëshmitarë. Për këtë arsye, ai theksoi se Këshilli i Mandateve duhet të veprojë pa vonesa.
Duke komentuar situatën politike dhe protestat e opozitës, Kopliku u shpreh se aksioni i Partisë Demokratike nuk duhet të kufizohet në disa protesta sporadike, por duhet të përshkallëzohet. Sipas tij, qëllimi duhet të jetë paralizimi i jetës publike, në mënyrë që qeverisë t’i bëhet e pamundur vijimi normal i punës.
“Kjo nuk është një betejë që fitohet me një apo dy protesta. Revolta duhet të përshkallëzohet dhe jeta publike duhet të paralizohet, që qeveria të mos ketë mundësi të vijojë punën,” deklaroi Kopliku, duke shtuar se drejtësia, sipas tij, kontrollohet nga kryeministri Edi Rama.
Ai theksoi se rasti i Belinda Ballukut përbën shembullin më domethënës të asaj që opozita e cilëson si kontroll politik mbi sistemin e drejtësisë, duke përmendur se, sipas tij, çdo reformë e ndërmarrë nga qeveria është konceptuar për të siguruar kontroll të plotë institucional.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



