Del foto e Gerond Mëçes, burri që nuk ekziston

Si u zhduk pas mamasë, njeriu që përpiu 46 milionë euro nga shteti shqiptar
Publik.al | 11 Korrik 2025

Nëse e kërkon në QKR, del në emër të mamasë. Nëse e kërkon në zyrë, gjen një sekretareshë. Nëse e kërkon në foto, mezi ekziston një e vetme. Por pas gjithë këtij tymi dhe kamuflimi, qëndron një emër që ka thithur me etje të pashoqe paratë publike: Gerond Meçe. 

Ky është burri që prej një dekade manipulon sistemin e prokurimeve shtetërore përmes një rrjeti të mirëmenduar grash që përdor si mburojë dhe firmash që përdor si kosh grumbullimi për milionat nga thesari i shtetit. Por le t’i zbërthejmë një e nga një fijet e kësaj skeme korruptive me aromë arrogante dhe frikë nga SPAK-u.

Baxhanaku i Ramës merr në dy ditë nga AKSHI, 4.5 mln euro për “ABS”

Firma është e mamit”

maska e parë

Kompania Advanced Business Solutions (ABS), që ka përthithur 46 milionë euro vetëm në 5 vitet e fundit përmes tenderave sekretë e pa garë, është në emër të Shegush Meçes, një 75-vjeçare që nuk di të përdorë as kompjuter, por në letra është “CEO e teknologjisë”.

Në të vërtetë, firma është krijuar, zhvilluar dhe menaxhuar nga i biri, Gerond Meçe. Sa herë SPAK afron, ai zhduket nga dokumentet dhe rikthehet sërish sapo stuhia kalon. Loja është aq e stërholluar sa edhe e neveritshme: në maj 2025, kur emri i kompanisë nisi të lakohej për abuzime, Meçe “hoqi dorë” nga pronësia dhe ia kaloi sërish nënës së tij. Një skemë primitive, por funksionale.

Nga qiraxhi i thjeshtë në murin e tenderave sekretë

Në vitin 2014, xhiroja e kompanisë ishte më pak se 1 milion euro. Sot është mbi 20 milionë në vit. Dhe nuk flasim për shitje të teknologjisë “Made in Albania” – por për tendera të manipuluar nga brenda sistemit, ku fitimi shkon deri në 30-35%, një përqindje absurde për çdo aktivitet normal.

Meçe nuk prodhon. Nuk shpik. Nuk inovon. Ai thjesht pastron dhe riciklon para publike përmes kontratave të fiktive, ku punët bëhen në letër dhe paratë derdhen realisht në llogari.

Kompania guackë dhe gruaja administratore për gjithçka

Për të ruajtur distancën nga përgjegjësia, Gerond Meçe përdor Eriksela Shulin – një administratore “gjithë përdorim”, që shfaqet në të paktën dy kompani të tij: ABS dhe Artificial Intelligence Business Solutions.

Kjo e fundit është një kompani që s’ka asnjë punonjës, asnjë shpenzim dhe asnjë aktivitet real – por deklaron fitime të barabarta me xhiron. Në thelb: një çantë për të nxjerrë jashtë Shqipërisë paratë që mbeten nga pazaret me tenderat sekretë.

Dhe për ta kompletuar rrethin, noterja që e ka regjistruar është Laura Pustina, motra e Andia Pustinës, e pandehur për pastrim parash dhe financiere e lidhur me familjen Berisha.

Nga ofertues në shantazhues

Kur SPAK nisi të hetojë, Meçe ndryshoi taktikë. Sot nuk hyn në tender për të fituar, por për të penguar. Bën oferta të ulëta që s’i interesojnë – vetëm që të përfshihet në garë dhe më pas të kërcënojë fituesit: “O më jep përqindjen time, o të anuloj tenderin në KPP”.

Ky tregtar i frikës dhe i pazareve nuk ka frikë nga drejtësia, por nga padukshmëria. Sepse në një vend ku miliona zhduken pa asnjë zhurmë, më e keqja për këta njerëz është të ekspozohen.

Kush e mbron?

Kjo është pyetja që duhet të shqetësojë sot SPAK-un dhe opinionin publik. Si është e mundur që për vite me radhë, një njeri pa poste zyrtare, me kompani pa zyrë dhe me grua të vjetër si “pronare”, ka mundur të fitojë 46 milionë euro nga shteti?

A mos ndoshta dikush shumë më lart se ai e ka bërë këtë të mundur?

Përgjigja ndoshta ndodhet në dosjet e fshehura të AKSHI-t, ose në dhomat e errëta ku bëhen pazaret e mëdha. Aty ku Gerond Meçe është vetëm urithi që sjell thesin.

Publikuar nga Publik Media