“Dëmet e protestuesve, sa 6 shishe verë që pi Rama me Gysin”
Gazetari Artan Hoxha ka ironizuar kryeministrin Edi Rama për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara gjatë protestës në Tiranë, duke e krahasuar shumën e deklaruar me çmimin e gjashtë shisheve verë që, sipas tij, konsumon kreu i qeverisë me Ergys Agasin.
I ftuar në SYRI TV, Hoxha komentoi shifrën prej 18 milionë lekësh të vjetra, të publikuar si vlerësim i dëmeve nga protesta, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si qeveria po e trajton situatën dhe reagimin ndaj protestuesve.
“Gjashtë shishe verë nga ato që pinë Rama me Gysin! Gjashtë shishe verë dhe të flisni për dhunë të protestuesve kundër këtij shteti?”, u shpreh gazetari, duke përdorur një gjuhë të ashpër ironike ndaj kryeministrit.
Hoxha kritikoi gjithashtu mungesën e Ramës pas protestës, duke pretenduar se kryeministri largohet dhe bëhet i paarritshëm për qytetarët që kërkojnë të komunikojnë me të.
“Rama del në pikë të mëngjesit, vë karriget, ikën e zhduket dhe qerohet. Ku ta gjejnë mo burrë?”, deklaroi ai.
Gazetari ngriti akuza të forta ndaj qeverisë, duke pretenduar se dëmet e shkaktuara gjatë protestës po marrin vëmendje të tepruar në raport me atë që ai e cilësoi si dëmin ekonomik nga korrupsioni. Hoxha kundërshtoi gjithashtu që veprimet e protestuesve të vlerësohen vetëm përmes dëmeve materiale, megjithëse në protestë janë raportuar edhe akte dëmtimi të pronës.
Në reagimin e tij, ai u ndal edhe te një prej të rinjve që kishte folur gjatë protestës, duke përmendur vështirësitë ekonomike të familjes së tij dhe duke e krahasuar moshën e tij me atë të djalit të kryeministrit.
Hoxha tha se nuk dëshiron të përfshijë familjarët e politikanëve në debat, por ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si pushteti reagon ndaj të rinjve që dalin në protestë dhe shprehin pakënaqësitë e tyre.
Reagimi i gazetarit vjen në një klimë të tensionuar politike, ndërsa protestat në Tiranë vijojnë dhe debati mbi dëmet materiale, përgjegjësinë e protestuesve dhe reagimin e qeverisë mbetet në qendër të vëmendjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



