Demokratët Evropianë: Hetimi i Vlora Hysenit të jetë i pavarur!
Demokratët Evropianë (PDE/EDP) kanë reaguar pas vendimit për vendosjen në arrest shtëpie dhe pezullimin nga detyra të drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, në kuadër të hetimeve të SPAK për çështjen e AKSHI-t.
Në deklaratën e tyre, Demokratët Evropianë e konsiderojnë zhvillimin si një çështje me rëndësi të veçantë dhe theksojnë se akuzat ndaj Hysenit duhet të shqyrtohen nga institucionet kompetente të drejtësisë në mënyrë të pavarur.
Sipas PDE/EDP, procesi duhet të zhvillohet duke respektuar plotësisht edhe prezumimin e pafajësisë, ndërsa institucionet shtetërore duhet të shmangin çdo ndërhyrje në punën e drejtësisë.
Në reagim, organizata evropiane i lidh këto zhvillime edhe me shqetësimet e ngritura gjatë protestave të “Revolucionit të Flamingove”, duke përmendur kërkesat për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe respektim të shtetit të së drejtës.
PDE/EDP rikujton se lëvizja nisi pas polemikave të lidhura me projektin e resortit dhe se, sipas saj, qytetarët kanë vijuar të kërkojnë më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri nga institucionet.
Demokratët Evropianë theksojnë se hetimi duhet t’u lihet institucioneve të drejtësisë dhe se nuk duhet të nxirren përfundime përpara përfundimit të procesit gjyqësor.
“Kur hetimet arrijnë në nivele kaq të larta të shtetit, të gjitha institucionet duhet të përgjigjen me transparencë të plotë dhe të lejojnë drejtësinë të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje”, thuhet në reagim.
Në vijim, PDE/EDP e lidh forcimin e institucioneve me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke kërkuar institucione demokratike, një sistem gjyqësor të pavarur, llogaridhënie dhe luftë kundër korrupsionit.
Ndërkohë, Vlora Hyseni është nën hetim për veprat penale “nxjerrja e sekretit hetimor” dhe “përkrahja e autorit të krimit”. Sipas dyshimeve të ngritura nga organet e hetimit, ajo dyshohet se ka përdorur informacione sekrete për të ndihmuar në largimin nga drejtësia të Ergys Agasit, i cili është arrestuar në kuadër të hetimeve për një grup të strukturuar kriminal të lidhur me aferën e AKSHI-t.
Pas vendimit të GJKKO-së për masën e sigurisë, kryeministri Edi Rama deklaroi nga Shtetet e Bashkuara se Hyseni do të largohej nga drejtimi i SHISH. Më pas, presidenti Bajram Begaj miratoi dekretin për shkarkimin e saj nga detyra.
REAGIMI I PLOTË:
Urdhri i pezullimit dhe arrestit shtëpiak në lidhje me Vlora #Hyseni, kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror të #Shqipërisë , është një zhvillim jashtëzakonisht serioz. Akuzat e raportuara kundër saj tani duhet të shqyrtohen nga autoritetet gjyqësore kompetente, në pavarësi të plotë dhe me respekt të plotë për prezumimin e pafajësisë.
Në të njëjtën kohë, këto zhvillime përforcojnë rëndësinë e shqetësimeve të ngritura nga #FlamingoRevolution. Nga polemika mjedisore rreth projektit të resortit që nxiti lëvizjen, qytetarët kanë kërkuar më shumë transparencë, llogaridhënie dhe respekt për sundimin e ligjit.
Nuk duhet të nxirren përfundime para se procesi gjyqësor të ketë përfunduar. Por, kur hetimet arrijnë në nivele kaq të larta të shtetit, të gjitha institucionet duhet të përgjigjen me transparencë të plotë dhe të lejojnë drejtësinë të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje.
E ardhmja evropiane e Shqipërisë kërkon institucione të forta demokratike, një gjyqësor të pavarur, llogaridhënie të vërtetë dhe një luftë pa kompromis kundër korrupsionit. Kjo është ajo që meriton populli shqiptar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




