Demokratët Evropianë: Shqipëria të shfuqizojë ligjet për zonat e mbrojtura
Demokratët Evropianë (PDE/EDP) kanë dalë në mbështetje të qëndrimit të Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, duke i kërkuar qeverisë shqiptare të rishikojë kuadrin ligjor për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
PDE/EDP thekson se Shqipëria duhet të përshpejtojë përafrimin e legjislacionit kombëtar me standardet e Bashkimit Evropian, veçanërisht në çështjet që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, sundimin e ligjit dhe garantimin e interesit publik.
Në deklaratën e tyre, Demokratët Evropianë i referohen edhe qëndrimit të Komisioneres Marta Kos, sipas së cilës mbrojtja e mjedisit përbën një element të rëndësishëm të kritereve që Shqipëria duhet të përmbushë në procesin e anëtarësimit në BE.
Sipas PDE/EDP, autoritetet shqiptare duhet të ndërmarrin hapa konkretë edhe për Ligjin për Investimet Strategjike. Ndryshimet në këtë fushë, sipas tyre, janë të nevojshme për të garantuar përputhjen e kuadrit ligjor shqiptar me kërkesat evropiane dhe për të avancuar drejt përmbushjes së detyrimeve që lidhen me Kapitullin 27 të negociatave, i cili mbulon mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Demokratët Evropianë vlerësojnë gjithashtu se zëri i shoqërisë civile shqiptare po dëgjohet në nivel evropian. Në deklaratë nënvizohet se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian duhet të shoqërohet me standarde të forta për mbrojtjen e mjedisit, respektimin e shtetit të së drejtës dhe garantimin e një trajtimi të barabartë të interesit publik.
Qëndrimi i PDE/EDP vjen në një moment kur kuadri ligjor shqiptar për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike është kthyer në një çështje të debatueshme edhe në raport me procesin e integrimit evropian.
Deklarata pason qëndrimin e Komisioneres Marta Kos, e cila u ka kërkuar autoriteteve shqiptare të ndërmarrin masa konkrete për harmonizimin e legjislacionit kombëtar me standardet e BE-së në fushën e mbrojtjes së mjedisit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



