E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denar Biba s’pyet as për Kuvend e as për KLSH: S’japim llogari askujt
Lajme

Denar Biba s’pyet as për Kuvend e as për KLSH: S’japim llogari askujt

Kreu i Autoritetit të Konkurrencës shpall “pavarësinë absolute”

Kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, ka zgjedhur sallën e Komisionit të Ekonomisë për të artikuluar një qëndrim të fortë mbi mënyrën si e koncepton funksionimin e institucionit që drejton. Vetëm pak muaj pasi u rikonfirmua në detyrë, ai deklaroi hapur se Autoriteti nuk do t’i japë llogari asnjë institucioni tjetër për vendimmarrjet e tij.

Gjatë raportimit vjetor, përplasja u fokusua te kërkesa e Kontrollit të Lartë të Shtetit për të audituar dosjet dhe vendimet e Autoritetit të Konkurrencës. Biba e kundërshtoi këtë kërkesë, duke e konsideruar si ndërhyrje në pavarësinë e institucionit.

“Erdhi KLSH tek ne dhe kërkoi çdo lloj informacioni konfidencial dhe sekret për të kontrolluar mbi vendimmarrjet tona. Në vlerësimin tonë, kjo përbën cënim të pastër të pavarësisë së institucionit,” u shpreh ai para deputetëve.

Në vijim, ai theksoi se as Kuvendi nuk ka të drejtë të ndërhyjë në vendimet e një institucioni të pavarur, duke nënvizuar kufijtë e rolit mbikëqyrës të Parlamentit.

“Nuk mundet një institucion i pavarur, në këtë rast KLSH, apo edhe Kuvendi i Republikës, përveçse si retorikë politike, të thotë që kjo vendimmarrja juaj është kështu apo ashtu. Nëse na keni mandatuar, keni besuar tek ne, tek profesionalizmi ynë”, deklaroi Biba.

Sipas tij, i vetmi autoritet që mund të vlerësojë vendimmarrjet e Autoritetit të Konkurrencës është sistemi gjyqësor, duke përjashtuar çdo mekanizëm tjetër kontrolli administrativ apo politik.

Këto deklarata kanë nxitur debat mbi kufijtë e pavarësisë institucionale dhe raportin e saj me llogaridhënien publike. Diskutimet bëhen edhe më të forta në një kohë kur tregu shqiptar vijon të përballet me sfida si dominimi i monopoleve dhe mungesa e konkurrencës efektive në sektorë të rëndësishëm.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.