Dendias zbarkon nesër në Tiranë, takim ‘kokë më kokë’ me Ramën
Rikthimi i çështjes së kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë duket se po hyn në një fazë të re, ndërsa Athina sinjalizon gatishmëri për të rihapur negociatat e pezulluara prej vitesh. Në këtë kontekst, vizita e ministrit grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, në Tiranë pritet të jetë një moment kyç për zhvillimet e ardhshme mes dy vendeve.
Zyrtari i lartë grek do të zhvillojë takime me drejtuesit kryesorë të shtetit shqiptar, duke nisur me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi. Në vijim të axhendës së tij, ai pritet të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama, ndërsa në program është parashikuar edhe një drekë pune në ambientet qeveritare.
Një tjetër ndalesë e rëndësishme e vizitës do të jetë takimi me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani i Shqipërisë, çka tregon dimensionin e gjerë diplomatik dhe simbolik të kësaj vizite.

Sipas mediave në Athinë, momenti aktual konsiderohet i favorshëm për të shtyrë përpara dialogun mbi delimitimin e zonave detare, një çështje që prej dekadash mbetet pa një zgjidhje përfundimtare. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë njohur një klimë më pozitive kohët e fundit, duke krijuar hapësirë për rikthimin e diskutimeve të ndjeshme.
Megjithatë, debati mbi këtë proces mbetet i ndezur edhe në Shqipëri. Ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, ka ngritur akuza të forta për mënyrën se si po trajtohet çështja e dërgimit në Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Sipas tij, qeveria greke e drejtuar nga Kyriakos Mitsotakis po rishikon disa nga dakordësitë e arritura gjatë negociatave të vitit 2018, duke u tërhequr nga elementë që konsideroheshin të favorshëm për palën shqiptare. Ai përmend si pika kyçe vijën e drejtë bazë detare dhe referimin ndaj Protokollit të Firences të vitit 1925.
Në të njëjtën linjë kritike, Meçollari ka akuzuar edhe qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Rama se vendimi për ta çuar çështjen në Hagë në vitin 2020 mund të dëmtojë interesat kombëtare, duke favorizuar palën greke. Ai lidh këtë proces edhe me rolin e diplomatit Ferit Hoxha, i cili ka qenë pjesë e negociatave të mëparshme.
Historiku i marrëveshjes detare Shqipëri-Greqi
Çështja e ndarjes së zonave detare mes dy vendeve ka rrënjë të hershme dhe mbetet një nga temat më të ndjeshme në marrëdhëniet bilaterale. Në vitin 2009, gjatë qeverisjes së Sali Berisha dhe homologut të tij grek Kostas Karamanlis, u nënshkrua një marrëveshje për delimitimin e shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare.
Megjithatë, kjo marrëveshje u kundërshtua nga opozita e asaj kohe dhe përfundimisht u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2010, me argumentin se ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe mungonte transparenca në negociim.
Pas kësaj, çështja mbeti pezull për vite me radhë, deri në vitin 2018 kur qeveria shqiptare dhe ajo greke, e drejtuar nga Alexis Tsipras, rinisën negociatat. Megjithatë, edhe këto përpjekje nuk prodhuan një marrëveshje përfundimtare.
Debati për zgjerimin e ujërave territoriale
Një tjetër element që ka ndikuar në tensionet mes dy vendeve është edhe çështja e zgjerimit të ujërave territoriale në Detin Jon. Greqia ka shprehur synimin për të ushtruar të drejtën e saj për shtrirjen deri në 12 milje, një e drejtë që buron nga konventat ndërkombëtare.
Nga ana e tij, kryeministri Rama ka theksuar se kjo e drejtë zbatohet vetëm në kushtet kur është e mundur dhe në përputhje me rrethanat gjeografike dhe ligjore.
Ndërkohë, ish-kryeministri Berisha ka paralajmëruar më herët se një zgjerim i tillë nga pala greke mund të ketë pasoja për Shqipërinë, sidomos në një kontekst rajonal të ndërlikuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



