Denoncimi: Hakerat na morën paratë, BKT nuk mban përgjegjësi
Një qytetar ka ngritur një denoncim serioz ndaj bankës BKT, duke pretenduar se nga llogaria bankare e familjarëve të tij janë vjedhur para si pasojë e klonimit të kartës bankare.
Sipas tij, transaksionet janë kryer në Shkup, në një kohë kur anëtarët e familjes ndodheshin fizikisht në Tiranë, çka përforcon dyshimet për cenim të sigurisë së kartës dhe përdorim të paautorizuar.
Qytetari shprehet se reagimi i bankës ka qenë minimal, duke u kufizuar vetëm në këshillën për ndërrimin e kartës, pa dhënë asnjë shpjegim bindës dhe pa marrë përgjegjësi për humbjen financiare. Ai thekson se nuk është ofruar asnjë garanci konkrete për kthimin e parave të vjedhura.
Sipas denoncimit të publikuar edhe nga JOQ, kjo nuk është një situatë e izoluar, por një problem që prek disa qytetarë, duke ngritur shqetësime serioze mbi nivelin e sigurisë bankare në Shqipëri.
Bëhet fjalë për kartën bankare të babait të tij, por qytetari shton se edhe vetë është klient i BKT-së dhe pas kësaj ngjarjeje nuk ndihet më i sigurt për mbrojtjen e fondeve të tij.
Ai akuzon bankën për zvarritje të qëllimshme të çështjes, duke thënë se po shmang përgjegjësinë dhe po “bën naze” me zgjidhjen, ndërsa problemi thelbësor mbetet mungesa e një mekanizmi sigurie dhe kompensimi në momentin kur paratë vidhen nga llogaritë e klientëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




