Denoncimi: Inertet bllokojnë rrugën në Balldren të Lezhës
Institucionet “mbyllin sytë” dhe nuk reagojnë
Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al ngre shqetësime serioze për një situatë problematike në zonën e Balldreni, në Lezhë, ku sipas qytetarëve, një hapësirë publike është bllokuar nga depozitimi i mbetjeve të ndërtimit.
Sipas informacionit të dërguar, një shtetas i identifikuar si Agustin Kaçorri dyshohet se ka grumbulluar sasi të konsiderueshme inertesh pranë aktivitetit të tij privat. Materialet e hedhura, siç pretendohet edhe nga pamjet shoqëruese, jo vetëm që dëmtojnë mjedisin, por kanë krijuar pengesa serioze për qarkullimin, duke e bërë pothuajse të pamundur kalimin në atë segment.
Ky rast ngre pikëpyetje mbi respektimin e rregullave për menaxhimin e mbetjeve inerte, si dhe mbi kontrollin institucional ndaj aktiviteteve që mund të ndikojnë negativisht në hapësirat publike. Depozitimi i pakontrolluar i mbetjeve të ndërtimit përbën një problem të vazhdueshëm në shumë zona të vendit, duke shkaktuar ndotje dhe cenim të infrastrukturës lokale.
Qytetari që ka bërë denoncimin u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, përfshirë Bashkinë Lezhë dhe Inspektoratin e Mjedisit, që të ndërhyjnë menjëherë për të verifikuar situatën në terren dhe për të marrë masat përkatëse në rast konstatimi të shkeljeve.
Denoncimi i plotë:
Dua të denoncoj një situatë shqetësuese në zonën e Balldre-Lezhë, ku një shtetas i quajtur Agustin Kaçorri, në biznesin e tij, ka depozituar një sasi të konsiderueshme inertesh dhe mbetjesh ndërtimi. Siç shihet edhe në foto, këto materiale duket se janë hedhur në mënyrë që mund të pengojnë kalimin dhe të dëmtojnë gjendjen e zonës.
Kjo situatë ngre dyshime për depozitim të paautorizuar të mbetjeve inerte, ndotje të mjedisit, zënie të hapësirës dhe mungesë të masave për administrimin e mbetjeve të ndërtimit. Nëse konstatohen shkelje, kërkoj që institucionet përgjegjëse të marrin masat e parashikuara nga ligji.
U bëj thirrje Bashkisë, Inspektoratit të Mjedisit dhe institucioneve të tjera kompetente të kryejnë një verifikim në terren dhe të sqarojnë nëse janë respektuar të gjitha procedurat ligjore.
Kërkoj që ky denoncim të publikohet në mënyrë anonime.
Faleminderit.
Ka blloku zaptu krejt rrugën dhe asnjë nga autoritetet nuk reagojnë.
Publik.al do të vijojë të ndjekë këtë çështje dhe pret një reagim zyrtar nga autoritetet kompetente.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





