Denoncimi: Po bëhen gërmime në një zonë të paprekur në Jalë
Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al ngre pikëpyetje mbi një ndërhyrje të re në vijën bregdetare të Jalës, në zonën e Vunoit, aty ku sipas qytetarëve po kryhen gërmime të konsiderueshme me mjete të rënda, pa asnjë informacion publik mbi natyrën e projektit.
Sipas denoncueses, e cila ka dërguar fotografi nga vendi i ngjarjes, zona ku aktualisht po punohet ka qenë deri vitin e kaluar një hapësirë e paprekur pranë detit, e mbuluar me bimësi natyrore dhe pa ndërhyrje të dukshme njerëzore.
“Në Jalë të Vunoit është gërmuar me eskavatorë në një zonë që vjet ishte e paprekur buzë detit. Nuk ka tabelë informuese, nuk ka rrethim dhe asnjë shenjë identifikuese që të tregojë se kush po kryen punimet apo për çfarë projekti bëhet fjalë”, thuhet në mesazhin e mbërritur në redaksi.
Fotografitë tregojnë një sipërfaqe të konsiderueshme toke të gërmuar, me prerje të dukshme të terrenit shkëmbor dhe zhvendosje masive materialesh, në një zonë shumë pranë vijës bregdetare.
Në pamje dallohen gjurmë të punimeve të rënda, ndërsa mungon çdo element që zakonisht shoqëron një kantier të ligjshëm ndërtimi, si tabela informuese, të dhënat e lejes, subjekti zhvillues apo masat e sigurisë.
Shqetësimi i ngritur nga qytetarja lidhet pikërisht me mungesën e transparencës mbi atë që po ndodh në këtë pjesë të rivierës shqiptare, një zonë që vitet e fundit ka qenë në fokus të investimeve turistike dhe projekteve të zhvillimit.
“Me siguri do të kthehet në një investim strategjik”, shprehet me ironi denoncuesja, duke lënë të kuptohet skepticizmin e saj mbi mënyrën se si po zhvillohen ndërhyrjet në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka një informacion zyrtar të afishuar në terren që të sqarojë nëse punimet kryhen mbi bazën e një lejeje ndërtimi, një projekti turistik apo një ndërhyrjeje tjetër të autorizuar nga institucionet përgjegjëse.
Publik.al fton institucionet kompetente, përfshirë Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Bashkinë Himarë dhe strukturat e mbrojtjes së mjedisit, të japin sqarime mbi natyrën e këtyre punimeve, statusin ligjor të tyre dhe ndikimin që mund të kenë në ekosistemin bregdetar të zonës.
Ndërkohë, qytetarët kërkojnë transparencë të plotë për çdo ndërhyrje që kryhet në një prej hapësirave më të ndjeshme dhe më të frekuentuara të rivierës shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco













