Deputetët e PS “kapen mat” me letra bixhozi e duke pirë birra
Zbardhen emrat dhe debati me qytetarët në Strasburg
Një situatë e paprecedentë dhe e ngarkuar me tensione politike ka shoqëruar vizitën e delegacionit parlamentar shqiptar në Strasburg. Ndërsa Shqipëria dhe Bashkimi Evropian zhvillonin takimet periodike të Komitetit të Stabilizim-Asociimit (KSA) – dokumenti zyrtar që vulos hapat integrues të vendit – ligjvënësit shqiptarë kanë dështuar të gjejnë gjuhën e përbashkët. Sot në Strasburg, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk arritën të gjenin konsensus për rezolutën e përbashkët me Parlamentin Evropian.
Por, përtej dështimit zyrtar në tryeza, ajo që po bën xhiron e rrjetit është një video, ku një grup deputetësh të mazhorancës janë filmuar “mat” nga qytetarë të diasporës në tarracën e një lokali, teksa konsumonin birra dhe luanin me letra bixhozi.
Tavolina e “VIP-ave” në Strasburg dhe tentativa për të fshehur letrat
Në pamjet e videos, në tarracën e një lokali në Strasburg shihen qartë eksponentët më të lartë të Partisë Socialiste. Në të njëjtën tavolinë ndodheshin:
-
Taulant Balla – Kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së
-
Arbjan Mazniku – Ministër/Deputet
-
Pirro Vengu – Ministër/Deputet
-
Evis Kushi – Deputete dhe ish-ministre
Në momentin që qytetarët e diasporës i afrohen tavolinës, fillimisht i përshëndesin me mirësjellje. Mirëpo, sapo ligjvënësit socialistë e kuptuan se gjithçka po dokumentohej në video, atmosfera ndryshoi menjëherë. Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, shihet teksa tenton të fshehë me shpejtësi letrat që mbante në duar. Për të shmangur ballafaqimin e drejtpërdrejtë dhe kërkesën e llogarisë nga emigrantët, Balla kthehet nga pjesëtarët e tjerë të tavolinës duke nisur një bisedë paralele, në përpjekje për t’i injoruar ata.
Debati i plotë: “Po luani me paratë e taksave tona!”
Sjellja arrogante e deputetëve vetëm sa e ka ndezur më tej revoltën e qytetarëve, të cilët nuk kanë kursyer akuzat për keqmenaxhim të parave publike dhe situatën në Shqipëri. Më poshtë vijon transkripti i plotë i përplasjes verbale:
Qytetarja: Mirëmbrëma, përshëndetje! Si jeni, mirë?
Taulant Balla: Po na filmon?
Qytetarja: Po patjetër! Ne na ka marrë malli t’ju shikojmë, t’ju pyesim si jeni, çfarë po bëni për Shqipërinë.
Qytetari: Po losni me letra, po kënaqeni…
Qytetarja: Çfarë po bëni për Shqipërinë? Ku jetoni? Sa po ju shkon nata [hoteli]? Duam ta dimë dhe ne.
Qytetari: A keni dëgjuar ndonjëherë që bëhet ndonjë protestë në Shqipëri apo…?!
Qytetarja: Po si nuk ju vjen turp, se këtu jeni përballë popullit! (Në sfond dëgjohet një zë tjetër që u thotë qytetarëve: “T’ju vijë zor”)
Qytetarja: Të më vijë mua zor?!
Qytetari: Ju paguheni me taksat tona!
Në fund të video-regjistrimit, në shenjë të plotë revolte dhe proteste të hapur, qytetarët kanë nisur të këndojnë në kor refrenin e njohur të tubimeve opozitare: “Rama në burg, Balla në burg!”.
Reagimi i Ballës në rrjetet sociale dhe kundërpërgjigjja e qytetarëve
Përplasja ka vijuar edhe në sferën virtuale, ku Taulant Balla përmes një postimi të ditës së djeshme, ka zgjedhur një gjuhë mjaft sulmuese ndaj qytetarëve që e filmuan, duke tentuar ta lidhë ngjarjen me skenarë politikë të opozitës së Sali Berishës.
Në postimin e tij, Balla shkruan:
“Ja dhe dy sorra 🦅 🦅 që na i çoi Saliu tek hoteli në Strasburg. Jam i sigurtë që nesër do postojnë një video si na pritën ne me protesta😂 dhe televizioni i Saliut do mbushë lajmet. Pse po pini 🍺 ishte sulmi😂😂😂 ‘Kanë ndryshuar kohrat, dikur çonte Sali Lushën për sulme fizike. Sot i çon për 📹”
Ky reagim i zyrtarit të lartë ka ngjallur reagime të shumta negative te ndjekësit. Një prej qytetarëve i shkruan drejtpërdrejt: “Z. Balla, si politikan e keni humbur krejt busullën e komunikimit. Kjo protestë po nxjerr në pah karakterin tuaj të vërtetë. Në vend që të tregoni qetësi dhe të dëgjoni qetë qytetarët, zgjidhni arrogancën…”.
Kjo ngjarje, e ndodhur në të njëjtën ditë me dështimin e rezolutës së përbashkët në Strasburg, tregon qartë jo vetëm krizën e thellë të konsensusit politik mes partive në Shqipëri, por edhe hendekun e madh dhe tensionin që ekziston mes zyrtarëve të shtetit dhe diasporës shqiptare në Evropë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




