Deputetja operohet në QSUT: “Më risollën besimin te mjekësia publike në Shqipëri”

Deputetja Mesila Doda ka ndarë sot një lajm “gëzueshëm” nga spitali universitar QSUT, ku është operuar me sukses. Në një postim në rrjetet sociale, Doda shkruan plot emocion:

Sot pas një ndërhyrje në QSUT, falënderoj nga zemra prof. Arvin Dibra dhe gjithë ekipin e tij, dr. Drini Shehu, dr. Majlinda Naco dhe gjithë personelin e mjekëve dhe infermierëve që sot më risollën besimin tek mjekësia publike në Shqipëri. Profesionalizmi, mirësjellja dhe gatishmëria e tyre më bënë të ndihem si në një strukturë europiane. Faleminderit nga zemra!!!

Nëse i lexon këto fjalë, mund të mendosh për një çast se QSUT-ja dhe spitalet publike shqiptare janë kthyer në “klinika zvicerane” të standardit europian. Por, nëse zbresim nga “kulla e fildishtë” e VIP-ave dhe ecim drejt realitetit të përditshëm të qytetarëve të thjeshtë, panorama është krejt tjetër.

Në spitalet rajonale, si në Spitalin Rajonal të Durrësit, pacientët transportohen me barelë nëpër shkallë, pasi ashensori nuk funksionon prej kohësh.

Ja një foto e trishtë, por shumë më reale, se sa deklaratat e ëmbla politike:

Në këtë pamje, pacientë të sëmurë, me këmbë të thyer ose të sapodalë nga ndërhyrje kirurgjikale, transportohen me mundim nga stafi, duke zvarritur barelën nëpër shkallë, si në një skenë që i përket më shumë një filmi të pasluftës sesa një vendi europian të vitit 2025.

E vërteta është e thjeshtë dhe e dhimbshme: nëse nuk jep para “nën dorë” për një shërbim që teorikisht është falas me ligj, shanset janë që do sorollatesh për analiza, do presësh me orë të tëra për një mjekim bazik, ose edhe më keq – do të trajtohesh si një barrë e padukshme për sistemin.

Ndaj, për shumë shqiptarë që nuk kanë pushtet politik, lidhje apo mundësi financiare, spitalet publike mbeten vende ku shpresa shuhet, jo ku ripërtërihet besimi.

Në këtë vend, mjekësia publike është, fatkeqësisht, një luks që duket se mbetet ende privilegj i një pakice shumë të vogël./joq

Publikuar nga Publik Media