Derbi i Tiranës dhe Partizanit që përfundon në autogol për tifozët vetë

Nga fusha te stolat 

Pasojat e derbit të fundit mes Tiranës dhe Partizanit në “Arenën Kombëtare” kanë lënë pas jo vetëm tension në fushë, por edhe një gjurmë të shëmtuar në tribunat e stadiumit. Lufta e verbër mes tifozëve të dy kampeve, që shpërtheu mbi stolat plastike, tregon më shumë për nivelin e munguar të vetëdijes sesa për dashurinë ndaj skuadrave.


Është e pakuptueshme sesi, pas gati 6 muajsh mungesë në këtë stadium, tifo-grupet e Tiranës dhe Partizanit u rikthyen jo për të mbështetur, por për të shkatërruar. Nëse mëria e tyre është ndaj FSHF-së apo presidentit Duka, duhet t’u kujtojmë se asnjëri prej tyre nuk e ndjen koston në xhep. Fatura për këtë vandalizëm i shkon pikërisht klubeve të tyre, të cilat gjobiten dhe penalizohen në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Çfarë fiton një tifoz kur shkel mbi stolat? Asgjë përveçse një pamje më të lartë nga e cila mund ta shohë humbjen më qartë. Sepse dashuria për klubin nuk matet me shkallën e dëmit, por me shkallën e përkushtimit.

Ironikisht, stolat që përdor Arena Kombëtare janë model i veçantë i prodhuar në Australi – çka do të thotë që çdo stol i shkatërruar nuk zëvendësohet me pak para, por me shumë vonesa, procedura dhe kosto të larta. Dhe përsëri, ato kosto shkojnë mbi vetë klubet.

Kjo histori është një autogol i pastër. Jo në tabelën e rezultateve, por në imazhin dhe dinjitetin e klubeve që këta tifozë pretendojnë se mbrojnë.

Publikuar nga Publik Media