E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dështon databaza e fatkeqësive me kosto 580 mijë euro
Ekonomi

Dështon databaza e fatkeqësive me kosto 580 mijë euro

Gjysma e bashkive dhe ministritë nuk kanë akses

Mungojnë të dhënat për dëmet dhe personat e prekur

Baza e të Dhënave mbi Humbjet nga Fatkeqësitë, e ngritur përmes një kontrate me kosto 54,9 milionë lekë, nuk është plotësuar me informacionin e nevojshëm dhe aktualisht nuk mund të përdoret për të llogaritur në mënyrë të besueshme personat e prekur dhe dëmet ekonomike të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim të kryer konstaton se 50% e bashkive dhe asnjë prej ministrive nuk kishin akses në Sistemin e të Dhënave të Humbjeve nga Fatkeqësitë. Edhe institucionet që mund të hynin në databazë nuk i plotësonin të gjitha fushat e parashikuara.

Kontrata për ngritjen e sistemit është lidhur më 28 dhjetor 2023 dhe përfshinte edhe mirëmbajtjen. Databaza administrohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe duhet të përmbajë të dhëna për llojin dhe datën e fatkeqësisë, zonën e prekur, viktimat, personat e zhdukur, popullsinë e prekur dhe humbjet ekonomike.

Megjithatë, sipas auditimit, të dhënat e hedhura deri tani nuk mund të përdoren për të llogaritur treguesit që lidhen me numrin e personave të prekur nga fatkeqësitë dhe raportin e humbjeve ekonomike me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Mungojnë metodologjia dhe aktet për kompensimin

Problemi nuk kufizohet vetëm te mungesa e aksesit. KLSH konstaton se nuk janë hartuar udhëzuesit e nevojshëm për përdorimin e plotë të sistemit dhe mungon një metodologji për llogaritjen e humbjeve nga fatkeqësitë.

Ende nuk janë miratuar as aktet nënligjore që duhet të përcaktojnë mënyrën e vlerësimit të dëmeve, procedurat e ndjekura, kompensimin, afatet dhe strukturat përgjegjëse. Këto akte duhej të pasonin ligjin për mbrojtjen civile, të miratuar në vitin 2019.

Mungesa e rregullave të njëjta krijon rrezikun që bashkitë dhe institucionet qendrore t’i vlerësojnë dëmet me metoda të ndryshme. Për pasojë, informacioni nuk është i krahasueshëm dhe nuk mund të përdoret për të përcaktuar me saktësi koston e fatkeqësive apo nevojën për kompensim dhe rindërtim.

Për bashkitë që nuk kishin akses, AKMC ka sqaruar se një pjesë ishte në proces të krijimit të llogarive dhe trajnimit. Bashki të tjera nuk kishin dërguar të dhënat e personave përgjegjës. Në rastin e ministrive, ndryshimet institucionale gjatë vitit 2025 sollën ndryshimin e pikave të kontaktit, ndërsa Agjencia ishte në pritje të emrave të rinj.

KLSH kërkon që brenda vitit 2026 të hartohen udhëzimet dhe metodologjitë për vlerësimin e humbjeve, të miratohen aktet për dëmet dhe kompensimin dhe të sigurohet plotësimi i databazës nga institucionet qendrore dhe vendore.

Funksionimi i sistemit ka rëndësi jo vetëm për raportimin statistikor. Të dhënat duhet të përdoren edhe për planifikimin e fondeve, kompensimin e familjeve dhe bizneseve, rindërtimin pas fatkeqësive dhe orientimin e investimeve parandaluese. /ekofin

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.