E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Detaje të reja nga përplasja në “Lollipop”
Lajme

Detaje të reja nga përplasja në “Lollipop”

 Dëshmitarë flasin për armë zjarri dhe panik në mes të natës

Ngjarja e ndodhur pas mesnate në klubin e njohur “Lollipop” në Palasë ka sjellë një valë reagimesh dhe konfuzion, ndërkohë që informacionet zyrtare të Policisë bien ndesh me dëshmitë nga vendngjarja.

Sipas raportimeve fillestare të Publik.al, një përplasje e dhunshme ka ndodhur rreth orës 02:45 të mëngjesit të së premtes në zonën VIP të klubit, ku dy grupe djemsh janë konfliktuar ashpër me njëri-tjetrin. Dëshmitarë okularë tregojnë për përdorim armësh zjarri, goditje me gota dhe sende të forta, si dhe për skena kaosi në momentet kur të pranishmit janë përpjekur të largohen me panik nga ambientet e brendshme të lokalit. Burime jozyrtare përmendin se në mesin e turmës së alarmuar ndodhej edhe këngëtari Ylli Limani, i cili ishte planifikuar të performonte atë natë, por që fatmirësisht nuk është lënduar.

Në anën tjetër, Policia e Vlorës, në një deklaratë zyrtare, minimizon seriozitetin e ngjarjes duke e cilësuar si “një konflikt fizik pa përdorim armësh zjarri”. Sipas tyre, nuk ka pasur persona të plagosur nga përplasja, me përjashtim të një shtetasi, A. V., i cili ka pësuar lëndime të lehta në tentativë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Ky person, sipas Policisë, nuk ka qenë pjesë e konfliktit.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi janë njoftuar menjëherë për këtë rast. Nga verifikimet paraprake, nuk janë konstatuar persona të dëmtuar si pasojë e këtij konflikti”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Megjithatë, Publik.al ka siguruar deklarata nga të pranishëm në klub që flasin për të shtëna të shumta me armë zjarri, si dhe për persona të dëmtuar nga përplasjet dhe përleshjet fizike që pasuan. Deri tani, identiteti i personave të përfshirë në konflikt nuk është bërë publik, dhe hetimet mbeten në fazën fillestare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.