Detajet e reja, Ergys Agasi nuk i hapte telefonin Vlora Hysenit
28 thirrje pa përgjigje dhe 25 të refuzuara
Biznesmeni Ergys Agasi dhe ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, kanë pasur një komunikim të shpeshtë, të përditshëm dhe të shtrirë në kohë, sipas të dhënave të përfshira në dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme.
Në dosje, SPAK ngre dyshime për një marrëdhënie që, sipas hetuesve, nuk kufizohej vetëm në raportet zyrtare që Hyseni ka deklaruar se kishte me Agasin, të cilin e ka përshkruar si “bashkëpunëtor” të SHISH.
Ish-drejtuesja e SHISH është nën akuzë për dy vepra penale, ndërsa hetimet e SPAK-ut lidhen, ndër të tjera, me dyshimet për zbulim të sekretit hetimor dhe pengim të arrestimit të Ergys Agasit.
SPAK thekson në dosje se komunikimet e sekuestruara në telefonin e biznesmenit japin një tjetër panoramë nga ajo e deklaruar prej Hysenit.
“Ashtu sikurse rezulton nga bisedat, shtetasi Ergys Agasi jo vetëm që nuk është në rolin e ‘bashkëpunëtorit’, por në të kundërt është ai që merr dhe dikton informacionin e marrë”, thuhet në materialin hetimor.
508 komunikime në rreth dy muaj
Sipas dosjes, hetuesit kanë këqyrur aparatin celular të Ergys Agasit dhe kanë evidentuar komunikime të vazhdueshme me Vlora Hysenin edhe gjatë periudhës kur ai ishte shpallur në kërkim nga drejtësia.
Komunikimet nuk kanë qenë vetëm telefonata të zakonshme. Sipas SPAK-ut, ato kanë përfshirë voice call, video call, si dhe dërgim e marrje fotosh dhe videosh.
Për periudhën nga 28 qershor 2026 deri më 26 gusht 2026, ditën e arrestimit të Ergys Agasit, në aplikacionin “Signal” janë regjistruar:
- 70 thirrje hyrëse nga Vlora Hyseni drejt Ergys Agasit;
- 17 thirrje dalëse nga Ergys Agasi drejt Vlora Hysenit;
- 28 thirrje të humbura;
- 25 thirrje pa përgjigje, ku sipas dosjes Ergys Agasi nuk i është përgjigjur Vlorës Hyseni;
- si dhe thirrje të refuzuara.
Por shifra që bie më shumë në sy është ajo e 508 formave të komunikimit.
“Në lidhje me komunikimet ndërmjet Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, të ruajtura në funksionin BIOME të aparatit telefonik të shtetasit Ergys Agasi janë të ruajtura gjithsej 508 forma komunikimi, calls, voice, video calls, messages, chat messages, ndërmjet këtyre dy shtetasve për periudhën e sipër-cituar”, thuhet në dosjen e SPAK-ut.
9 printime me diagrame të ngjashme me të dhënat e SHISH
Në vijim të veprimeve hetimore, më 20 korrik 2026, në ambientet e “Equos Resort” në Tiranë, u sekuestrua automjeti me targë GG444AA, në pronësi të Ergys Agasit.
Sipas dosjes, me procesverbalin e datës 22 korrik 2026, brenda automjetit u sekuestruan, ndër të tjera, 9 printime me letër të formatit të madh, në të cilat paraqiteshin diagrame me të dhëna të ngjashme me ato të prodhuara nga Shërbimi Informativ i Shtetit.
Gjatë seancës gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit, vetë Ergys Agasi ka pranuar se automjeti ishte i tij dhe se këto sende i kishte lënë me qëllim që t’i gjenin organet e Prokurorisë së Posaçme.
Çfarë deklaroi Vlora Hyseni para hetuesve
Më 18 shtator 2026, e pyetur në cilësinë e personit që kishte dijeni për veprën penale, Vlora Hyseni ka pranuar komunikimin e vazhdueshëm me Ergys Agasin deri në ditën e arrestimit të tij.
Sipas dosjes, ajo ka deklaruar se Agasi i kishte ofruar “bashkëpunim”, ndërsa ka mohuar takime fizike me të apo faktin që Agasi të kishte siguruar informacione nga Shërbimi Informativ i Shtetit.
Hyseni është shprehur gjithashtu se do të kthente përgjigje zyrtare, me shkresë të klasifikuar, lidhur me origjinën e diagrameve të sekuestruara.
Por, sipas SPAK-ut, përmbajtja e komunikimeve nuk e mbështet këtë version.
“Ashtu sikurse rezulton nga bisedat e mësipërme, shtetasi Ergys Agasi jo vetëm që nuk është në rolin e ‘bashkëpunëtorit’, por në të kundërt është ai që merr dhe dikton informacionin e marrë”, thuhet në dosje.
SPAK: Komunikimi ishte periodik, i përditshëm dhe i tejzgjatur
Hetuesit nënvizojnë se komunikimi i Vlora Hysenit me Ergys Agasin ka qenë periodik, i përditshëm dhe i tejzgjatur në kohë, edhe gjatë periudhës kur biznesmeni ishte në kërkim nga drejtësia.
Sipas dosjes, bëhej fjalë për komunikime të natyrave të ndryshme, nga telefonatat e zakonshme deri te video-thirrjet dhe shkëmbimi i materialeve fotografike dhe video.
SPAK thekson gjithashtu se, për personin që Hyseni e kishte konsideruar “bashkëpunëtor”, ajo nuk kishte vënë në dijeni asnjë nga instancat, qoftë paralele apo brenda vetë institucionit.
Mesazhet: “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot”
Një pjesë tjetër e rëndësishme e dosjes lidhet me përmbajtjen e mesazheve mes dy personave.
Sipas SPAK-ut, nga komunikimet rezulton ajo që hetuesit e përshkruajnë si ekzistencë të një lidhjeje personale dhe të vazhdueshme, e cila ka vijuar edhe gjatë kohës kur Ergys Agasi ishte shpallur në kërkim.
Në disa prej komunikimeve, sipas dosjes, Vlora Hyseni shfaqet duke u identifikuar me interesat e Agasit përballë organeve të drejtësisë.
Ndër mesazhet e evidentuara janë:
“Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë dua që të paguajnë.”
“Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot.”
“Të gjithë ne.”
“Do përfundojmë keq, shpirt.”
SPAK i vlerëson këto komunikime në tërësinë dhe kronologjinë e tyre, duke argumentuar se ato, sipas hetuesve, nuk tregojnë vetëm një raport personal, por edhe identifikim të Hysenit me qëndrimin dhe interesat e personit nën hetim lidhur me procedimin penal ndaj tij.
Në dosje thuhet gjithashtu se komunikimet tregojnë gatishmëri për t’i qëndruar pranë dhe për ta ndihmuar Agasin gjatë kohës që ai ishte në kërkim.
Në një tjetër bisedë, para arrestimit të Agasit, Hyseni i shkruan:
“Zemër thjesht duhet te koncentrohemi te halli jot… Të gjithë ne”.
“Çfarë na bënë o Zot”
Në një tjetër komunikim, nga numri i Vlorës Hyseni, identifikuar në dosje me numrin +383*******, i dërgohet Agasit mesazhi:
“Çfarë na bënë o Zot”.
Sipas dosjes, komunikimet vazhdojnë edhe me informacione mbi takimet që Hyseni do të zhvillonte me zyrtarë të lartë.
Në një prej tyre ajo shkruan:
“Po me presin me shku te km…. Jo mo zemer une nje ore nuk rri me shume me ate”.
Ndërsa më 24 gusht 2026, sipas materialit hetimor, ajo shkruan:
“Neser duhet ta takoj km ne 830”.
SPAK thotë se në vijim Hyseni i ka dhënë Agasit edhe informacion mbi itinerarin, natyrën e takimeve dhe partnerët ndërkombëtarë me të cilët do të takohej.
“Me doli nje takim urgjent… Me sauditet… Kthehem neser ne ks prape”, thuhet në komunikim.
Takimi me kreun e Policisë së Shtetit
Në dosje përmendet edhe një komunikim i datës 19 gusht 2026, ku Vlora Hyseni e informon Ergys Agasin për një takim me Skënder Hitën, të identifikuar në material si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Mesazhi i saj është:
“Skenderi me thirri me u taku te henen …(Skender Hita Drejtori i Përgjithshëm i Policisë)… Te shpresoj qe ka porosit km….”
Sipas SPAK-ut, ky komunikim është pjesë e përpjekjeve të pretenduara të Hysenit për ta ndihmuar Agasin edhe në instanca të tjera.
“Sa sh gjera na Kane bere ne…”
Një tjetër grup mesazhesh, i datës 22 gusht 2026, pasqyron sipas dosjes mënyrën e komunikimit mes tyre.
Vlora Hyseni i shkruan:
“Sa sh gjera na Kane bere ne…. Te gjitha shpirt… O shpirt Kjo eshte nje situate qe do ja hedhim… Problemi eshte koha… Sa konsistenc kemi….”
SPAK e interpreton këtë komunikim si një tjetër element që, sipas hetuesve, tregon solidarizim dhe gatishmëri për ta ndihmuar personin që ndodhej në kërkim.
Informacion për Taulant Ballën dhe Belinda Ballukun
Në vijim të komunikimeve, dosja përmend edhe një tjetër mesazh ku Hyseni i jep Agasit informacion paraprak lidhur me figura politike.
“Taulant Balla kryetar kuvendi…. Keshtu Jane infot… Bela me Taon shoku”, shkruan ajo.
Në materialin e SPAK-ut sqarohet se në këtë rast nënkuptohen deputeti Taulant Balla dhe deputetja Belinda Balluku.
Në tërësi, sipas dosjes hetimore, komunikimet e evidentuara në telefonin e Ergys Agasit për periudhën 28 qershor–26 gusht 2026 përfshijnë 508 forma komunikimi mes tij dhe Vlora Hysenit, ndërsa SPAK i përdor ato për të argumentuar se raporti mes tyre ka qenë më i gjerë se një marrëdhënie e zakonshme me një “bashkëpunëtor”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



