E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Deti pritet të rritet deri në 28 cm, rrezikohen plazhet dhe hotelet
Lajme

Deti pritet të rritet deri në 28 cm, rrezikohen plazhet dhe hotelet

Alarm klimatik për Shqipërinë

Ndryshimet klimatike pritet të sjellin një rritje të ndjeshme të nivelit të detit përgjatë vijës bregdetare të Shqipërisë, duke shtuar ekspozimin e plazheve, strukturave turistike dhe qyteteve që shtrihen pranë detit.

Sipas dokumentit të ri klimatik të miratuar nga qeveria, projeksionet tregojnë se niveli i detit mund të rritet me rreth 11 centimetra deri në vitin 2030.

Situata pritet të bëhet edhe më shqetësuese në dekadat pasuese. Sipas skenarëve të analizuar në dokument, deri në vitin 2050 rritja e nivelit të detit mund të variojë nga 20 deri në 28 centimetra.

Ky ndryshim përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për zonat bregdetare dhe veçanërisht për sektorin e turizmit, i cili në Shqipëri mbështetet ndjeshëm te destinacionet e plazhit.

Në dokument, rreziku për modelin turistik “diell dhe det” vlerësohet nga i lartë deri në shumë të lartë. Rritja e nivelit të ujërave mund të ndikojë në sipërfaqet e plazheve, të dëmtojë infrastrukturën dhe strukturat akomoduese pranë vijës bregdetare, si dhe të rrisë presionin mbi qytetet që kanë turizmin si një prej burimeve kryesore të ekonomisë lokale.

Pasojat nuk kufizohen vetëm te infrastruktura turistike. Në ekspozim ndaj rritjes së nivelit të detit janë edhe zona dhe site me vlera të trashëgimisë kulturore që ndodhen në afërsi të bregdetit.

Sipas vlerësimit të dokumentit klimatik, turizmi, bujqësia dhe zonat urbane renditen ndër sektorët më të ekspozuar ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike në vitet e ardhshme.

Projeksionet e reja nënvizojnë nevojën për masa më të forta përshtatjeje dhe planifikimi, veçanërisht në zonat bregdetare, ku rritja e nivelit të detit mund të sjellë pasoja të drejtpërdrejta ekonomike, sociale dhe mjedisore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.