‘Dezertohet’ Berisha, kush janë aleatët që munguan në takim
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ul sot në tryezë me aleatët për të diskutuar propozimet për reformën zgjedhore dhe territoriale, por takimi u shoqërua me tensione dhe mungesa të dukshme. Duka, Mediu dhe Blushi nuk morën pjesë, duke lënë vend për kritika të ashpra nga partnerët e pranishëm.
Kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, kritikoi sjelljen e PD-së pas zgjedhjeve:
“PD ‘s’do t’ia dijë dhe mbyll telefonin”.
Alimadhi shtoi se mungesa e koordinimit dhe respektit për partitë aleate është problematikë e gjatë:
“Na lejoni ta shtrimë pak më shumë takimin sepse dihet nga problematikat që ne kemi, na bie rrallë rasti se para zgjedhjeve ju na ftoni dhe më pas nuk na pyesni ose e mbyllni telefonin dhe s’doni t’ia dini për ne. Është e çuditshme… Pra kam qenë i vetmi që kam kundërshtuar dhe nuk kam votuar thuajse asnjë ligj dhe kam qenë opozitari i vetëm.”
Edhe kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, theksoi se aleatët nuk duhet të trajtohen si kosto dhe kërkoi që PD të respektojë peshën elektorale të çdo partie pjesëmarrëse:
“Na bëni neve tabelë qitje, aleatët janë vota për ju, dhe marrim shumë më pak se na takon në bazë të peshës elektorale… Kjo është hile e qëllimshme, e dëgjoj në takimet e foltores që shigjetohen aleatët sikur jemi e keqja.”
Ndoka kujtoi gjithashtu kontributin e LSI dhe Partisë Demokristiane në koalicionet e mëparshme:
“LSI para disa viteve ka pasur 100 mijë vota, goditjet që erdhën, kishte edhe Ramën përballë dhe Bashën, por edhe Partia Demokristiane, ne kemi pasur 58 mijë vota, që thonë 6 mandate, por duke qenë pjesë e këtyre koalicioneve kemi fituar.”
Takimi i sotëm nxjerr në pah tensionet dhe mungesën e aleatëve kryesorë, duke treguar një hendek në koordinimin brenda koalicionit opozitar dhe shqetësimet për respektimin e peshës elektorale në vendimmarrje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



