Dhuna brenda zyrave të IKMT, reagon Inspektorati i Përgjithshëm
Inspektorati i Përgjithshëm është vënë në lëvizje pas një incidenti të rëndë të raportuar në ambientet e Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ku një funksionar dyshohet se është dhunuar brenda zyrës së tij.
Sipas informacioneve paraprake, Fatmir Meta pretendohet se është goditur me tytën e një arme nga Klesti Çela – drejtori i Mjedisit në të njëjtin institucion – së bashku me tre persona të tjerë. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një përplasjeje verbale të regjistruar një ditë më parë mes palëve.
Burime bëjnë me dije se konflikti lidhet me një grup inspektimi për çështjen e depozitimit të dherave në zonat përreth Tiranës. Pretendohet se Meta kishte bllokuar mjete të disa subjekteve që po derdhnin dhera në kundërshtim me rregullat, çka ka sjellë tensione mes zyrtarëve.
Pas debatit fillestar, situata ka degraduar një ditë më pas në përplasje fizike brenda ambienteve të institucionit.
Reagimi i Inspektoratit të Përgjithshëm
Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka deklaruar se rasti po trajtohet me prioritet maksimal dhe se asnjë incident nuk do të kalojë pa përgjegjësi.
Sipas njoftimit zyrtar:
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit nga IKMT, strukturat përgjegjëse të Inspektoratit të Përgjithshëm kanë nisur verifikimin e plotë dhe dokumentimin e ngjarjes. Personat e përfshirë janë pezulluar nga detyra deri në përfundimin e hetimit administrativ dhe penal. Paralelisht janë aktivizuar të gjithë mekanizmat disiplinorë të parashikuar nga legjislacioni në fuqi.”
Në deklaratë theksohet se institucioni nuk toleron asnjë formë dhune apo sjelljeje që cenon integritetin institucional, duke nënvizuar se administrata publike duhet të jetë model korrektësie dhe profesionalizmi.
Hetimet administrative dhe ato penale pritet të zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa Inspektorati i Përgjithshëm ka paralajmëruar se do të informojë publikun mbi ecurinë e procedurave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



