Dhuna ndaj shefit të Krimeve në Sarandë, gjykata lë të lirë pronarin dhe menaxherin e lokalit “Orange”
Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për pronarin e lokalit “Orange”, Spiro Iljadhi, dhe menaxherin Ermal Vata, lidhur me ngjarjen ku u dhunua shefi i Krimeve të Komisariatit të Sarandës, Mateo Bakalli.
Dy të dyshuarit akuzohen për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Megjithatë, gjykata nuk ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për arrest me burg, duke caktuar ndaj Iljadhit dhe Vatës masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur”. Në këtë mënyrë, të dy do të qëndrojnë të lirë gjatë hetimeve.
Ngjarja ndodhi më 16 gusht, në ambientet e lokalit “Orange” në Sarandë, ku shefi i Krimeve, Mateo Bakalli, ndërhyri për të ndaluar një konflikt fizik.
Sipas Prokurorisë, pavarësisht se Bakalli u prezantua si punonjës policie, ai u godit nga personat e përfshirë në konflikt.
Për ngjarjen, gjykata ka caktuar më herët masën “arrest me burg” për gjashtë persona, të akuzuar për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Ndërkohë, një tjetër person është shpallur në kërkim nga autoritetet.
Hetimet për ngjarjen vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



