E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dhunimi i shefit të Krimeve në Sarandë, arrestohen 6 persona
Lajme

Dhunimi i shefit të Krimeve në Sarandë, arrestohen 6 persona

Pezullohen dy efektivë policie

Gjashtë persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim pas një konflikti të dhunshëm të regjistruar në orët e para të mëngjesit të 16 gushtit në Sarandë, ku mbeti i përfshirë edhe Shefi i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë.

Mes personave të arrestuar është edhe administratori i lokalit “Orange”, ndërsa ngjarja ka nisur pas një konflikti mes rojeve të sigurisë së lokalit dhe disa personave të tjerë.

Sipas Policisë, rreth orës 03:20, në rrugën “Butrinti”, në ambientet e jashtme të lokalit, rojet e sigurisë ishin përfshirë në një konflikt fizik. Në atë moment, Shefi i Hetimit të Krimit, nënkomisar M. B., i cili po kalonte në rrugë me automjetin e tij, ka konstatuar situatën dhe ka ndaluar për të parandaluar përshkallëzimin e saj.

Policia thotë se efektivi është prezantuar si punonjës i Policisë dhe ka ndërhyrë për të qetësuar situatën. Megjithatë, konflikti ka vijuar dhe rojet e sigurisë dyshohet se e kanë goditur edhe atë me grushte.

Efektivi ka reaguar në vetëmbrojtje dhe ka arritur të kontaktojë shërbimet e Policisë për të kërkuar ndihmë. Brenda pak minutash, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcave Kombëtare të Sigurisë, të cilat kanë ndërhyrë për të ndalur përplasjen dhe kanë shoqëruar personat e pranishëm.

Kontrollet kanë vijuar edhe më pas, ndërsa një pjesë e rojeve të lokalit janë lokalizuar në një banesë në fshatin Gjashtë, në Sarandë.

Pas veprimeve hetimore të kryera nga Oficerët e Policisë Gjyqësore në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, janë arrestuar gjashtë persona.

Në pranga kanë rënë M. K., 35 vjeç, administrator i lokalit ku ndodhi konflikti; E. N., 38 vjeç; F. H., 35 vjeç; I. Ç., 34 vjeç; A. K., 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr dhe roje sigurie në lokal, si dhe B. S., 29 vjeç, me profesion taksist.

Ndërkohë, P. D., 28 vjeç, i cili dyshohet se punonte si roje sigurie në lokalin ku ndodhi ngjarja, është shpallur në kërkim.

Pezullohen dy punonjës policie

Ngjarja ka sjellë edhe masa ndaj dy punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët dyshohet se ishin të dypunësuar pa leje në lokalin ku ndodhi konflikti.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, janë pezulluar menjëherë nga detyra Inspektor A. Sh., efektiv i Repartit “RESI”, dhe nënkomisar A. B., efektiv i RENEA-s.

Sipas Policisë, dy efektivët, edhe pse ndodheshin jashtë orarit zyrtar të shërbimit, nuk kanë njoftuar strukturat e Policisë për konfliktin që po zhvillohej dhe nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Për këtë arsye, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor ndaj tyre dhe ka dërguar një grup pune në Sarandë për të verifikuar rrethanat e rastit.

Hetimi penal vijon nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës, ndërsa autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore për të gjithë personat e përfshirë.

Njoftimi i Policisë:

Goditën për shkak të detyrës Shefin e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Sarandë, i cili ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e një konflikti mes rojeve të sigurisë së një lokali dhe disa shtetasve, vihen në pranga 6 shtetas, mes tyre edhe administratori i lokalit, si dhe shpallet në kërkim një tjetër.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka pezulluar menjëherë nga detyra dhe ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e hetimit disiplinor ndaj dy punonjësve të Policisë, për dypunësim pa leje në lokalin ku ndodhi konflikti dhe për mosndërhyrje për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.

Më datë 16.08.2026, rreth orës 03:20, në rrugën “Butrinti”, Sarandë, në ambientet e jashtme të një lokali, rojet e sigurisë së lokalit po konfliktoheshin me disa persona të tjerë dhe nuk kishin njoftuar shërbimet e Policisë.

Gjatë konfliktit, Shefi i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, nënkomisar M. B., po kalonte në rrugë me mjetin e tij dhe, kur ka konstatuar konfliktin, ka ndaluar, duke u prezantuar me detyrën që mbante dhe duke u përpjekur të parandalonte përshkallëzimin e konfliktit.

Rojet e sigurisë së lokalit nuk e kanë ndaluar konfliktin fizik, por kanë filluar të godasin me grushte edhe Shefin e Hetimit, i cili ka kaluar në vetëmbrojtje dhe ka arritur të komunikojë me shërbimet e Policisë për të kërkuar ndihmë.

Pas rreth 1 minute, kanë shkuar në ndihmë shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, të cilat kanë neutralizuar përshkallëzimin e konfliktit dhe kanë shoqëruar disa persona që janë gjendur të pranishëm në konflikt.

Shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet dhe, në një banesë në fshatin Gjashtë, Sarandë, kanë lokalizuar dhe shoqëruar edhe pjesën tjetër të rojeve të lokalit ku kishte ndodhur konflikti fizik.

Në vijim të veprimeve të kryera nga Oficerët e Policisë Gjyqësore, në bashkëpunim me Prokurorinë Sarandë, është bërë arrestimi i shtetasve:

M. K., 35 vjeç, administrator i lokalit ku ndodhi konflikti;

E. N., 38 vjeç; F. H., 35 vjeç; I. Ç., 34 vjeç; dhe A. K., 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr, roje sigurie në lokalin ku ndodhi konflikti, si dhe B. S., 29 vjeç, taksist.

Po në vijim të veprimeve, u bë shpallja në kërkim e shtetasit P. D., 28 vjeç, roje sigurie në lokalin ku ndodhi konflikti.

Gjithashtu, në lidhje me ngjarjen e ndodhur, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, u pezulluan menjëherë nga detyra dy punonjësit e Policisë, Inspektor A. Sh., efektiv i Repartit “RESI”, dhe nënkomisar A. B., efektiv i RENEA-s.

Këta punonjës, të dypunësuar pa leje në lokalin ku ndodhi konflikti, nuk kanë njoftuar Policinë për konfliktin që po ndodhte dhe, pavarësisht se ishin jashtë detyre, duhet të ndërhynin për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka dërguar një grup pune në Sarandë, ku ka nisur hetimin disiplinor për dy punonjësit e Policisë, tashmë të pezulluar nga detyra.

Hetimet vijojnë nga Prokuroria për vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të përfshirë në këtë ngjarje.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.