Dhunoi nxënësit, policia shpall në kërkim mësuesen 58-vjeçare
Një mësuese 58-vjeçare është shpallur në kërkim nga policia, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nxënësve gjatë procesit mësimor në një shkollë 9-vjeçare në Kamzë.
Sipas burimeve zyrtare, specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariati i Policisë Nr. 5 kanë shpallur në kërkim shtetasen me inicialet M.H., pas dyshimeve të ngritura nga verifikimet paraprake.
Nga veprimet hetimore të kryera deri tani rezulton se 58-vjeçarja dyshohet të ketë përdorur dhunë fizike dhe presion psikologjik ndaj disa nxënësve gjatë zhvillimit të orëve të mësimit. Autoritetet bëjnë me dije se po vijon puna për lokalizimin dhe ndalimin e saj, ndërsa paralelisht po mblidhen prova dhe dëshmi për të dokumentuar plotësisht rastin në rrugë ligjore.
Ndërkohë, reagim pati edhe nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, e cila njoftoi se mësuesja është larguar menjëherë nga detyra sapo rasti u bë publik.
Ministrja Mirela Kumbaro bëri të ditur se pas publikimit të pamjeve të dyshuara të dhunës është ngritur një grup i posaçëm verifikimi për të analizuar situatën dhe për të marrë masat e nevojshme.
Sipas saj, përveç shkarkimit nga detyra të mësueses, është hapur edhe një procedurë administrative për të shqyrtuar përgjegjësitë e mundshme në nivel drejtues brenda institucionit arsimor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



