Dhunuan kamarierin, i mbajtën rrogën, mbeten ne qeli dy pronarër e Flar
“Kamerieri i provokoi”, avokati i Florian Habilajt dhe Enold Dragotit: Arresti 45-ditor është i stisur
Mbrojtja i cilëson dëmtimet e 18-vjeçarit si të lehta dhe përplasjen si “sherr mes të rinjsh”. Dy të dyshuarit do të qëndrojnë në burg për 45 ditë, në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore.
Avokati i Florian Habilajt dhe Enold Dragotit, të akuzuar për dhunimin e një kamerieri 18-vjeçar, ka kundërshtuar vendimin e gjykatës për lënien e tyre në burg me afat 45-ditor.
Në një prononcim për mediat, avokati Altin Sinella e cilësoi masën e sigurisë të pabazuar, ndërsa pretendoi se ekspertiza mjeko-ligjore po përdoret për të mbështetur akuzën për plagosje të rëndë.
“U la me afat 45-ditor për t’u analizuar ekspertiza mjeko-ligjore, që në fakt është farsë, është e stisur. Janë dëmtime të lehta sipërfaqësore, por për të motivuar arrestin u akuzuan për plagosje të rëndë”, deklaroi Sinella.
Sipas avokatit, ngjarja ka qenë një përplasje mes të rinjve, e cila ka nisur pas një debati verbal. Ai pretendoi se kamerieri i ka provokuar dy të arrestuarit dhe këta më pas kanë reaguar fizikisht.
“Është një rrahje e rëndomtë, një sherr mes të rinjsh. Viktima i ka provokuar, këta i janë kthyer. Kanë pasur një debat verbal”, tha ai.
“Palët japin versione të ndryshme”
Mbrojtja pranoi se rrethanat e plota të incidentit mbeten ende të paqarta dhe se kamerieri dhe dy të arrestuarit kanë dhënë versione të ndryshme.
“Nuk jam shumë i qartë për ngjarjen. Viktima mban qëndrim të ndryshëm nga të arrestuarit. Njëri ka versionin e vet, tjetri të vetin. Se kush është më i besueshëm, do të dalë gjatë hetimit”, deklaroi Sinella.
Avokati pretendoi gjithashtu se nga përplasja janë dëmtuar fizikisht të dyja palët, por masë sigurie është marrë vetëm ndaj Habilajt dhe Dragotit.
“Të bësh sherr askush nuk ka dëshirë. Janë të zhgënjyer për veprimet. Të dyja palët janë dëmtuar fizikisht. Për njërin nuk është marrë asnjë vendim, ndërsa për tjetrin kanë shkuar në ekstrem”, shtoi ai.
Pretendimet e mbrojtjes pritet të verifikohen përmes pamjeve, dëshmive dhe ekspertizës mjeko-ligjore. Deri në përfundimin e hetimeve dhe dhënien e një vendimi përfundimtar, Florian Habilaj dhe Enold Dragoti konsiderohen të pafajshëm.
Ndërkohë, mesditën e sotme pritet të mbahet seanca gjyqësore për xhaxhain e kamerierit të dhunuar. Ai dyshohet se gjatë fundjavës tentoi të hakmerrej për dhunën e ushtruar ndaj 18-vjeçarit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



