E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dhunuan oficerët e BKH-së, merret vendimi për nipërit e Kapllanajt
Flash

Dhunuan oficerët e BKH-së, merret vendimi për nipërit e Kapllanajt

Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim Ledjan dhe Klaudio Kapllanaj, nipër të biznesmenit dhe politikanit Agron Kapllanaj, si dhe Gerald Kollçakun, të akuzuar për dhunë ndaj oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), gjatë një incidenti të ndodhur më 15 prill 2025 në Fier.

Sipas akuzës, oficerët e BKH-së dhe punonjës të Forcës Operacionale ndodheshin në qytet për kryerje veprimesh hetimore të planifikuara, kur u ndaluan dhe dhunuan fizikisht nga të pandehurit, pavarësisht se ata u identifikuan si efektivë të policisë.

Versioni i Kapllanajt: Incident i keqkuptuar me “njerëz të panjohur”

Pas ngjarjes, Agron Kapllanaj, kandidat i subjektit politik Djathtas 1912, dha një sqarim publik, duke e cilësuar incidentin si një keqkuptim të rëndë, lindur nga mungesa e prezantimit të agjentëve të BKH-së gjatë një operacioni në afërsi të kompanisë së tij.

“Një makinë u afrua pranë biznesit tim, ngriti një dron dhe filloi të filmonte pa u identifikuar. Roja njoftoi drejtorin e kompanisë dhe pas një debati verbal, nisëm të dyshonim se kishim të bënim me grupe kriminale. Unë vetë shkova në polici për të bërë kallëzim, ndërsa nipërit e mi ndoqën mjetin në qytet,” – u shpreh Kapllanaj.

Sipas tij, makina e dyshuar nuk ishte e regjistruar dhe sjellja e drejtuesit të saj ngriti dyshime serioze. Kapllanaj theksoi se njëri prej oficerëve, sipas dëshmisë së dhënë nga njerëzit e tij, kishte kërcënuar me armë pa u prezantuar si pjesë e ndonjë strukture ligjzbatuese.

“Nëse do ishin prezantuar, do kishin bashkëpunim të plotë”

Kapllanaj thekson se nëse personat do ishin prezantuar si agjentë të BKH-së, situata nuk do kishte degraduar. Ai mohon të ketë lidhje direkte me incidentin dhe nënvizon se biznesi i tij nuk ka asnjë problem ligjor.

“Unë nuk kam asnjë shqetësim me drejtësinë. Asnjëherë nuk i kam penguar institucionet të bëjnë punën e tyre, por nëse dikush vjen i maskuar, filmon me dron dhe nuk prezantohet, është normale që të reagosh,” – tha ai.

Akuzat dhe vijimi i hetimeve

Ndërkohë, Prokuroria ka mbledhur prova dhe dëshmi që implikojnë tre të pandehurit në dhunë ndaj oficerëve të shtetit për shkak të detyrës, çka përbën një vepër penale serioze.

Nipërit e Kapllanajt dhe punonjësi tjetër i kompanisë ndodhen tashmë në procedurë gjyqësore. Avokati i kompanisë ka qenë prezent gjatë marrjes së deklaratave në polici. Vetë Kapllanaj pohon se nuk ka komunikuar me nipërit pas ngjarjes.

Kapllanaj: Mos e lidhni çdo incident me emrin tim

Në fund të reagimit të tij, Kapllanaj i bën thirrje mediave që të mos e lidhin automatikisht çdo veprim të të afërmve të tij me emrin personal:

“Nëse nipërit apo të afërmit e mi kanë një incident, kanë emër dhe mbiemër. Nuk është e ndershme të identifikohen si ‘njerëzit e Agron Kapllanajt’. Askush nuk është mbi ligjin,” – përfundoi ai.

Njoftimi i Prokurorisë:

Goditën oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokuroria Fier dërgon për gjykim shtetasit K.K., L.K., dhe G.K.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit K.K., L.K. dhe G.K. për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 237/3 dhe 25 të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr. 509 të vitit 2025, të kryera në bashkëpunim me policinë gjyqësore, u arrit të provohet se, më datë 15.04.2025, punonjësit e policisë pranë Forcës Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, sëbashku me oficer të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shkuar në qytetin e Fierit të planizuar me shërbim, me qëllim kryerjen e veprimeve hetimore.

Gjatë ditës sipas dinamikës kanë lëvizur në vende të ndryshme në qytetin e Fierit. Po në këtë datë, punonjësit e policisë janë ndjekur dhe më pas ndaluar nga të pandehurit, ku pavarësisht prezantimit të tyre si punonjës policie, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me veprimeve aktive kanë ushtruar dhunë fizike ndaj oficerëve të policisë, për shkak të ushtrimit të detyrës së ligjshme të tyre.

Në lidhje me ngjarjen e mësipërme, të pandehurit janë arrestuar në flagrancë dhe janë hetuar me masë sigurimi “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier mbetet e angazhuar për të garantuar veprimtarinë e rregullt shtetërore, autoritetin shtetëror dhe shëndetin e personave që kryejnë një detyrë shtetërore, nga veprimet kriminale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.