Dialogu haluçinant në kohën e gurit, dajakut dhe gazit lotsjellës
Po pika që s’të bie bashkë me dialogun tënd! Dialog në kohë kolere, dialog me gjakprishur? Dialog me vëllavrasje? Dialog me gurë në zemër? Dialog me hunj e gaz? Dialog me hajdutin e shekullit? Dialog me të hallakaturit nga mendja e kokës? Ti di të bësh dialog vetëm me veten tënde?
Sinqerisht, trupi prej mishi që po të plaket i rëndon ajrit, atyre guralecëve që të kanë ngelur në dorë, në mendje dhe makthe. E trishtueshme sesi mund të katandiset burri 66 vjeç e kusur në këtë farë feje! Poshtëruese që akoma luan teatrin absurd afër fundit të tij të pashmangshëm.
Kryeministri i dy milionë banorëve kërkon dialog me psikikën e tij të sëmurë dhe të murosur në kolltukun e marrëzisë. Mendja e tij e sëmurë nuk njeh skrupuj! Copa prej mishi harron se nga kjo botë kanë ikur mbretër mizorë e diktatorë perversë. Kanë ikur filozofët dhe budallenjtë. Kanë ikur banditët dhe të mençurit. Nga kjo botë kanë ikur Noli e Konica, Kadare e Havzi Nela. Kanë ikur heronjtë dhe tradhtarët e këtij kombi. Të gjithë jemi të vdekshëm në këtë botë. Edhe unë dhe ti do të vdesim një ditë.
Kishe në dorë gjithë pushtetin që të paktën ky komb të përparonte sadopak dhe të bëhej vend normal si Kosova dhe Mali i Zi! Vetëm Enveri kishte pushtetin tënd. E dimë si e djallosi kombin duke e kthyer në kavie eksperimentale. Eksperimenti i dytë ishte Sali Berisha, me të mirat dhe të zezat e veta, por kishte skrupuj shteti dhe e dëmtoi pak më pak se ti këtë vend.
Ti e ktheve në shtet personal të shoqërisë së Gys Agasit dhe bandave. E sëmurë deri në palcë sipas kokës tënde.
Dhe ja ku jemi sot, në dialogun kolermadh. Dialogu i gurëve, i shkopinjve, i hunjve, dialogu i hajdutëve, i banditëve, i patronazhistëve skllevër, i administratës skllevër, bij skllevërish. Banditë bij banditësh.
Pas 15 vitesh ti nuk mund të dalësh normal të pish një kafe pa 200 policë dhe rrugë të bllokuara. Nuk shkon dot në parlament pa blinda dhe pa policët që do t’i paguash 2500 euro për t’u dhënë dajak të rinjve, djalit tim dhe gocës sime.
Imagjino Zahon të kalojë me Lindën nga Tajvani apo afër Vilës së Enverit dhe njëri prej këtyre policëve t’i japë një dajak Zahos tënd?! Ky komb nuk paska parë gjë akoma.
Sëmundja që kërkon dialog!
Sot u bashkua mendja e kombit, pedagogët, me protestën. E vetmja shpresë që ka mbetur në tentativë. Media lëtyrë e qeverisë po jargavitet dhe frustrohet në yndyrën që ka vënë me gjoba inceneratorësh dhe bandash.
Gjinushi i Akademisë së Shkencave po studion dialogun e urinës në moshën e pleqërisë.
Kush ka gjak dhe e do familjen dhe dheun ku ka lindur dhe ka vendosur të jetojë këtu, duhet të jetë me studentët dhe pedagogët. Dialogu do njerëz të kthjellët dhe normalë.
Dashtë Zoti dhe ky komb i kërrusur nga pushtetarët e sëmurë i shpëton marrëzisë së tyre!
Sot të gjithë jemi studentë!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



