Diella në bankën e të akuzuarve, kërkohet PEZULLIMI i ‘ministres’
Aktorja e njohur Anila Bisha i është drejtuar Gjykatës Administrative me një padi ndaj Këshillit të Ministrave, kompanisë që realizoi projektin dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke kërkuar pezullimin e përdorimit të imazhit të saj për figurën virtuale “Diella”.
Padia lidhet me përdorimin e avatarit të krijuar sipas pamjes së aktores për personazhin virtual të prezantuar si ministre e Prokurimeve Publike. Sipas kërkesës së depozituar në gjykatë, aktorja 57-vjeçare kërkon vendosjen e masës së sigurimit që imazhi i saj të mos përdoret më deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Bisha pretendon se kontrata e lidhur me kompaninë realizuese kishte të bënte vetëm me përdorimin e imazhit dhe zërit të saj për asistenten virtuale “Diella” në platformën e-Albania, dhe jo për përdorim në një rol tjetër publik apo institucional. Kontrata, sipas saj, kishte afat deri më 31 dhjetor 2025 dhe nuk parashikonte shfrytëzim të imazhit për një figurë me rol ministror.
Aktorja thekson se përdorimi i avatarit të krijuar mbi bazën e portretit të saj për një funksion tjetër përbën tejkalim të marrëveshjes dhe cenim të të drejtave mbi imazhin personal. Në padi kërkohet pezullimi i menjëhershëm i përdorimit të figurës deri në një vendim përfundimtar nga gjykata.
Më herët, në një intervistë televizive, Bisha kishte sqaruar se ishte angazhuar fillimisht për projektin e asistentit virtual të e-Albania-s, duke e konsideruar atë një iniciativë artistike dhe profesionale. Ajo kishte pranuar se kishte dhënë vetëm imazhin dhe zërin për këtë projekt dhe se nuk ishte informuar për përdorime të tjera të mundshme.
Sipas saj, bashkëpunimi me institucionet kishte qenë korrekt në fazën fillestare, por shfaqja e personazhit “Diella” si ministre e kishte surprizuar. Aktorja kishte theksuar se e kishte marrë situatën me humor, por tani ka zgjedhur rrugën ligjore për të sqaruar kufijtë e përdorimit të imazhit të saj.
Personazhi virtual “Diella” u prezantua publikisht nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste si pjesë simbolike e kabinetit të ri, një veprim që nxiti reagime dhe debat publik mbi rolin e teknologjisë dhe përdorimin e figurave virtuale në komunikimin politik.
Procesi gjyqësor pritet të përcaktojë nëse përdorimi i avatarit përtej projektit fillestar përbën shkelje kontraktuale dhe cenim të të drejtave të imazhit të aktores.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



