Dita 1000 e Kryeministrit tonë!

Nga Irena Beqiraj 

Në Vlorë, Kryeministri kërkoi dorëheqjen e gjithë drejtorëve, se Transballkaniken e pastronte vetë.

Në Durrës nuk kërkoi asnjë dorëheqje.

Por plazhi publik i Lalzit, që nuk e pastron prej 12 vitesh as Bashkia, as Kryeministri, si i bëhet?

Hajde për një pastrim në Lalz (të ndihmoj edhe unë), edhe do të kuptosh sa vite ka që nuk pastrohet dhe do të shkarkosh si “Zhukovin në ajër” edhe Kryetaren e Bashkisë Durrës!

Shkundja që i bëre Dredhës, lexova që i kishte pëlqyer dhe i kishte bërë mirë, megjithëse Ndërmarrja e Ujësjellësit nuk varet nga ai dhe vendgrumbullimin e plehrave nuk ja ka dhënë ai në menaxhim Zotos.

Ndaj, shko shkunde sa herë ta ketë ënda ty apo sa herë ai “mosmirënjohës” nuk plotëson tekat e “lajeve” deputete, të cilat, duke u përpjekur për popullin, mezi arrijnë të rregullojnë diçka për vete — por mos u lodh të justifikosh “shkundjen e pëlqyer” as me pastrimin, e as me furnizimin me ujë!

Fundja, të gjithë ata që ke rreth vetes frymojnë në pushtet falë teje. Ti i heq dhe ti i vendos (për shembull, Vilma Bellon do ta kishte votuar populli i Vlorës pa e zgjedhur ti në fillim? JO! Po Dredha do t’i kishte marrë votat e popullit për Kryetar po të mos ishte i zgjedhuri yt? JO!)

Kështu që mos u lodh të justifikohesh. Boll ke mbi shpinë.

Tani që institucionet kanë rënë e rregullat janë shkatërruar, do të duhet të pastrosh e menaxhosh vetë çdo m² të Shqipërisë!

Ndaj edhe kur themi “dita 1000”, tani ka filluar të na duket pak — marrsh edhe nga ditët tona!

Publikuar nga Publik Media