Dita e parë e shkollës paralizon qarkullimin në Tiranë
Kaos dhe qindra makina të bllokuara në Unazën e Madhe
Kryeqyteti është zgjuar këtë të hënë nën presionin e trafikut, me qindra automjete që kanë mbetur të bllokuara në disa prej akseve kryesore.
Pamjet e siguruara nga vendngjarja tregojnë radhë të gjata makinash në Unazën e Madhe, ndërsa problematika është shtrirë edhe në segmente të tjera të Tiranës.
Qytetarë të shumtë kanë raportuar se prej rreth dy orësh janë duke lëvizur me vështirësi ose kanë mbetur pothuajse të palëvizur në trafik.
Situata është shfaqur veçanërisht e rënduar në segmentin e Unazës së Madhe nga zona e Liqenit në drejtim të pjesës veriore të kryeqytetit, duke krijuar vonesa të konsiderueshme për drejtuesit e automjeteve.
Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në rritjen e fluksit është nisja e vitit të ri shkollor në sistemin parauniversitar.
Rikthimi i nxënësve në shkolla ka sjellë në rrugë një numër më të madh automjetesh, pasi prindër të shumtë kanë shoqëruar fëmijët e tyre drejt institucioneve arsimore.
Fluksi i shtuar i mëngjesit, i kombinuar me ngarkesën e zakonshme të fillimjavës, ka krijuar një situatë të vështirë në qarkullim, ndërsa drejtuesit e automjeteve përballen me pritje të gjata në disa prej akseve kryesore të Tiranës.
Për shumë qytetarë, dita e parë e javës dhe njëkohësisht dita e parë e shkollës është shoqëruar kështu me një tjetër problematikë të përditshme të kryeqytetit: trafikun e rënduar dhe kohën e gjatë të kaluar në rrugë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



