Donald Trump urdhëron nisjen e hetimeve për Fondacionin Soros
Administrata e presidentit Donald Trump ka nisur një ofensivë të re ligjore kundër Fondacionit “Shoqëria e Hapur”, të financuar nga miliarderi George Soros.
Sipas New York Times, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, ka dërguar një direktivë në të paktën gjashtë zyra të prokurorëve federalë – në Kaliforni, Nju Jork, Uashington D.C., Çikago, Detroit dhe Maryland – duke u kërkuar atyre të shqyrtojnë akuzat ndaj degëve të Fondacionit.
Organizata e themeluar nga Soros akuzohet për mbështetje të terrorizmit, mashtrim financiar dhe shkelje të tjera serioze, përfshirë zhvatje.
Në bazë të hetimit, është një raport i konservatorëve të Capital Research Center, i cili pretendon se Fondacioni ka derdhur mbi 80 milionë dollarë në organizata të lidhura me dhunë dhe terrorizëm.
Një shembull i përmendur është grupi palestinez për të drejtat e njeriut al-Haq, i cilësuar nga Izraeli në vitin 2022 si mbulim për aktivitete terroriste.
Nga ana tjetër, Open Society Foundation i ka cilësuar akuzat si “politikisht të motivuara dhe të rrezikshme për lirinë e fjalës”.
“Kur pushteti keqpërdoret për të sulmuar disa, në rrezik futen të drejtat e të gjithëve”, thuhet në reagimin e Fondacionit.
Trump ka kohë që e ka sulmuar publikisht Soros, duke e akuzuar se financon “kaos politik” dhe kundërshtarë të administratës së tij, ndërsa ka kërkuar edhe burgosjen e tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



