E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Donald Trump urdhëron Pentagonin të publikojë dosjet për alienët
Bota

Donald Trump urdhëron Pentagonin të publikojë dosjet për alienët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se ka udhëzuar institucionet federale – përfshirë Departamentin e Mbrojtjes – të nisin shqyrtimin dhe përgatitjen për publikim të dokumenteve zyrtare që lidhen me fenomenet ajrore të paidentifikuara dhe me pretendimet për jetë jashtëtokësore.

Në një reagim të publikuar në platformën e tij Truth Social, Trump theksoi se procesi duhet të përfshijë çdo material të disponueshëm mbi këto çështje, të cilat i cilësoi si komplekse, por me interes të lartë publik. Ai nuk sqaroi nëse dokumentet e klasifikuara do të deklasifikohen plotësisht, por la të kuptohet se transparenca do të jetë prioritet.

“Duke parë interesin e jashtëzakonshëm të publikut, do të udhëzoj Sekretarin e Mbrojtjes dhe agjencitë përkatëse që të fillojnë identifikimin dhe publikimin e dosjeve që lidhen me UAP, UFO dhe çështjet e jetës aliene”, shkroi ai.

Deklarata e tij vjen në një moment kur debati mbi ekzistencën e mundshme të jetës jashtë Tokës është ringjallur pas komenteve të bëra nga ish-presidenti Barack Obama. Gjatë një podcasti, Obama u shpreh se probabiliteti për ekzistencën e jetës diku tjetër në univers është i konsiderueshëm, por theksoi se nuk ka parë prova konkrete për vizita jashtëtokësore apo struktura sekrete ku mbahen forma të tilla jete.

Në një reagim të mëvonshëm në Instagram, Obama sqaroi se përmasat e universit e bëjnë statistikisht të mundshme ekzistencën e jetës në sisteme të tjera diellore, megjithatë distancat e mëdha e bëjnë shumë pak të besueshme që alienët të kenë mbërritur në Tokë. Ai shtoi se gjatë mandatit të tij presidencial nuk iu paraqit asnjë provë për kontakt me inteligjencë jashtëtokësore.

Trump reagoi ndaj këtyre deklaratave, duke kritikuar publikisht paraardhësin e tij dhe duke lënë të kuptohet se tema të tilla mund të përfshijnë informacion të ndjeshëm.

Nga ana tjetër, raportet zyrtare deri më tani nuk kanë gjetur prova që fenomenet e raportuara si UFO të jenë teknologji aliene. Një analizë e publikuar nga Pentagoni në vitin 2024 arriti në përfundimin se shumica e rasteve lidhen me pajisje ajrore konvencionale, satelitë apo balona kërkimore.

Megjithatë, nisma e Trump ka gjetur mbështetje në skenën politike amerikane. Deputetja republikane Anna Paulina Luna, e angazhuar në një grup pune për fenomenet ajrore të paidentifikuara, e përshëndeti vendimin si hap drejt transparencës. Edhe senatori demokrat John Fetterman e cilësoi nismën si pozitive, duke theksuar se opinioni publik meriton qartësi mbi këtë çështje.

Debati mbi UFO-t dhe mundësinë e jetës inteligjente jashtë Tokës mbetet një nga temat më të diskutueshme në shkencë dhe politikë. Çdo hap drejt publikimit të dokumenteve zyrtare pritet të rrisë interesin global dhe të shtojë presionin për më shumë transparencë institucionale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.