Biseda tronditëse nga kërcënimet te rrëmbime me dhunë
Një tjetër zhvillim i fortë ka dalë në dritë nga hetimet e SPAK, që lidhen me dosjen penale nr. 20/1, ku në fokus janë komunikimet telefonike mes biznesmenit Ergys Agasi dhe ish-deputetit të PS, Alqi Bllako.
Mësohet se nga këqyrja e telefonave të sekuestruar në qershor 2025, janë zbuluar elementë që implikojnë dy personazhet në episode të rënda të dhunës psikologjike, fizike, kërcënimeve dhe madje edhe rrëmbimeve.
Në dokumentet e dosjes së AKSHI evidentohen të paktën katër episode ku përmenden përdorimi i presionit, kërcënimeve dhe armëve të zjarrit për të detyruar persona të ndryshëm të veprojnë sipas interesave të tyre.
Hetimet tregojnë se përmes komunikimeve, Agasi dhe Alqi Bllako dyshohet se kanë përdorur individë me rrezikshmëri të lartë shoqërore për të ushtruar presion ndaj funksionarëve publikë, me qëllim ndikimin në vendimmarrje dhe firmosje dokumentesh në favor të tyre.
Një nga episodet e përmendura lidhet me presionin ndaj Migena Schroeder, në lidhje me procedurën e prokurimit “Smart Lab 2”, ku përfshihen disa kompani dhe zyrtarë të lartë, përfshirë drejtues të AKSHI.
“…më tej rezulton se provat njoftojnë rastin e presionit dhe kërcënimeve të bëra ndaj Migena Schroeder, në episodin që ajo jep sqarim të prokurimit publik “Stmart Lab 2”, ku jepen shpjegime për “Albascan” të Elton dhe Elision Jorgjis, “AESS” të Jani Angjelit, drejtueses së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, biznesmenit Ermal Beriqi, zv/drejtuesit të AKSHI-t, Daniel Shima dhe Elton Jorgji. Edhe në këtë rast, sipas këtyre deklarimeve, është përdorur dhuna psikologjike, përmes kërcënimeve, që të detyrohet subjekti operator ekonomik të veprojë sipas qëllimeve dhe kërkesave të dhunuesve të dyshuar…” thuhet në dosjen hetimore.
Ndërkohë, një tjetër rast i rëndë është ai i biznesmenit Gerond Meçe, i kompanisë “ABS”, i cili pretendon se është rrëmbyer në mes të Tirana, mbajtur peng në zonën e Gracenit në Elbasan dhe më pas është lënë i lirë në rrethrrotullimin e Bradasheshit.
Sipas dëshmisë së tij para hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ai është gjetur rastësisht nga një punonjës i kompanisë së tij dhe është rikthyer në zyrë.
Pavarësisht se katër autorët e dyshuar të rrëmbimit janë filmuar nga kamerat e sigurisë pa maska, ata ende nuk janë identifikuar, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi vonesat në hetim dhe mundësinë e mbrojtjes së tyre nga persona me ndikim.
Deri më tani, në kuadër të kësaj çështjeje janë proceduar 8 persona, por hetimet po thellohen më tej. Gjithashtu, Gjykata e Apelit të Posaçëm ka urdhëruar zgjerimin e hetimeve edhe ndaj disa emrave të tjerë, përfshirë ish-zyrtarë dhe individë të lidhur me këtë aferë.
Kjo dosje konsiderohet vetëm “maja e ajsbergut”, ndërsa priten zhvillime të tjera që mund të zbulojnë një rrjet më të gjerë ndikimi dhe presioni brenda institucioneve shtetërore.







