E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dosja ‘Buka’, Arben Ahmetaj befason me kërkesën e fundit drejt SPAK
Lajme

Dosja ‘Buka’, Arben Ahmetaj befason me kërkesën e fundit drejt SPAK

Në gjykatën kompetente u zhvillua seanca e radhës e gjyqit në mungesë ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, në kuadër të dosjes së njohur si “Buka”. Ahmetaj akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Gjatë seancës u regjistruan debate mes avokatit mbrojtës të ish-zyrtarit të lartë dhe përfaqësuesit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Të pranishëm në sallën e gjyqit ishin edhe të dëmtuarit nga vepra penale, përfaqësues të familjes Myderizi.

Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, paraqiti një sërë kërkesash procedurale, duke kërkuar administrimin e provave që lidhen me çështjen e “Buka” SHA. Ai deklaroi se klienti i tij nuk e pranon akuzën, shpallet i pafajshëm dhe e konsideron procesin politik. Mbrojtja kërkoi që Ahmetaj të pyetet përmes videokonference, të administrohen prova shkresore, të pyeten ekspertët që kanë kryer akt-ekspertimin teknik dhe kontabël, si dhe të thirren si dëshmitarë ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni. Gjithashtu, u kërkua që të merren të gjitha aktet juridike që lidhen me “Buka” SHA dhe dokumentacioni përkatës.

Në këtë kuadër, gjykata i kërkoi prokurorit të SPAK të sqarojë konkretisht veprimet dhe mosveprimet e Arben Ahmetajt, të cilat, sipas akuzës, përbëjnë elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

Nga ana e tij, prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, deklaroi se në dosje janë administruar vendime gjykatash që i kanë dhënë të drejtë familjes Myderizi. Ai theksoi se Ahmetaj ka vepruar përmes një urdhri, duke caktuar personalisht dy ekspertë, ndërsa akti i ekspertimit përmban kontradikta të dukshme. Sipas prokurorit, privatizimi i pronës nuk është kryer më herët nga ish-ministrat Nasip Naço dhe Florian Mima, ndërkohë që Ahmetaj ka shkelur një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka fuqi detyruese ligjore.

Në seancë reagoi edhe përfaqësuesi i familjes Myderizi, Adrian Myderizi, i cili u shpreh se mbrojtja po tenton të devijojë çështjen nga thelbi i saj, duke theksuar se bëhet fjalë për një shkelje të qartë të detyrës. Ai deklaroi se familja Myderizi ka fituar procesin gjyqësor ndaj Ministrisë së Ekonomisë me vendim të formës së prerë dhe ka kundërshtuar mënyrën e llogaritjes së aksioneve të pronarëve. Sipas tij, prona është vlerësuar shumë më poshtë se çmimi real i tregut, duke krijuar hapësirë për abuzime, ndërsa familja prej rreth 30 vitesh kërkon kthimin e pronës përmes rrugëve ligjore, pavarësisht fitimit të proceseve gjyqësore.

Në përfundim, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për datën 27 janar, me qëllim që t’i japë kohë prokurorit të SPAK të shprehet lidhur me provat dhe dëshmitarët e kërkuar nga mbrojtja e Arben Ahmetajt.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.