Dosjet ‘përvëluese’ në duart e SPAK: Nga “McGonigal” te AKSHI
Gazetarja Klodiana Lala ka folur për disa nga dosjet më të ndjeshme që aktualisht po hetohen nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke paralajmëruar zhvillime që, sipas saj, pritet të kenë ndikim të fortë në skenën politike dhe institucionale të vendit.
Duke iu referuar ngjarjeve të 21 janarit, Lala theksoi se kjo çështje vijon të mbetet pa përgjegjës konkretë, ndërkohë që paralelisht po hetohen afera të tjera madhore me pasoja të gjera. Ajo veçoi dosjen “McGonigal”, e cila, sipas saj, prek drejtpërdrejt marrëdhëniet strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe ekspozon mekanizmat e errët të funksionimit të administratës shtetërore.
Një tjetër dosje që pritet të sjellë zhvillime të forta është ajo që lidhet me ministren Belinda Balluku. Gazetarja bëri me dije se hetimi nuk kufizohet vetëm te tenderat dhe dyshimet për paracaktim, por përfshin edhe elementë të tjerë abuzimi. Sipas saj, SPAK ka ushtruar kontrolle ndaj disa biznesmenëve, në përpjekje për të siguruar prova të reja që mund të çojnë në implikime më të gjera.
Lala u ndal edhe te hetimet për fondet IPARD të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë dosje si një sinjal alarmi serioz nga ana e BE-së. Ajo theksoi se bëhet fjalë për një “flamur të kuq” për mënyrën se si janë administruar fondet evropiane në Shqipëri dhe për dyshime të forta mbi keqpërdorimin e tyre.
Vëmendje të veçantë gazetarja i kushtoi edhe dosjes së AKSHI-t, të cilën e cilësoi si një “kuti Pandore” për qeverinë. Sipas saj, kjo çështje ka potencialin të tronditë thellë strukturat e pushtetit, për shkak të mënyrës se si dyshohet se ka funksionuar sistemi. Ajo përmendi rolin e Ergys Agasit, i cili sipas hetimeve dyshohet se ka ushtruar ndikim dhe ka dhënë urdhra ndaj drejtuesve të institucioneve kyçe.
Sipas informacioneve hetimore, në kuadër të dosjes së tenderave të AKSHI-t janë evidentuar edhe episode me elementë të rëndë kriminalë. Lala bëri me dije se hetimet kanë zbuluar raste presioni ekstrem ndaj biznesmenëve, përfshirë rrëmbimin e Gerond Meçes, i cili dyshohet se është mbajtur peng për disa orë dhe është detyruar të tërhiqet nga garat publike nga persona të veshur me uniforma policie.
Në përfundim, Klodiana Lala theksoi në emisionin “Studio24”, se këto dosje përfaqësojnë disa nga hetimet më të rënda që SPAK po zhvillon aktualisht dhe se pritet që zbardhja e tyre të ketë pasoja të thella politike, institucionale dhe penale në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



