Drama e nënë Files që nuk e siguroi dot strehën për djalin e saj autik
Ka histori që nuk prekin vetëm për vështirësitë ekonomike apo mungesën e një strehe, por sepse zbulojnë sa e ashpër bëhet jeta kur pengesat vijnë edhe nga vetë sistemi apo rrethanat familjare.
Rasti i File Bulkut është një prej tyre. Një nënë që prej vitesh përballet e vetme me sfidën e rritjes së djalit të saj me çrregullim të spektrit autik. Humbja e bashkëshortit nuk ishte vetëm një goditje emocionale, por edhe fillimi i një beteje të gjatë për të siguruar një banesë të qëndrueshme.

Sipas ish-drejtorit të Shërbimeve Sociale për Qarkun Tiranë, Alfred Muharemi, në vitin 2021 File Bulku ishte shpallur përfituese e programit të rindërtimit me vendim të Këshillit Bashkiak. Megjithatë, pas vdekjes së bashkëshortit, situata ligjore e pronës ndryshoi, duke përfshirë në bashkëpronësi edhe familjarët e tij.
Kjo zhvillim, sipas Muharemit, u kthye në pengesën kryesore për realizimin e programit. Ai pretendon se familjarët e të ndjerit nuk ranë dakord me procedurat dhe refuzuan vijimin e procesit, duke bërë që përfitimi i banesës të mbetej pezull.

Si pasojë, nëna dhe djali i saj vazhduan të jetonin në pasiguri, ndërsa vitet kalonin pa një zgjidhje konkrete për strehimin.
Historia e saj u rëndua edhe më tej nga një episod i dhimbshëm i së kaluarës. Në një emision televiziv u publikuan pamje të vjetra ku ajo shfaqej duke ushtruar dhunë ndaj djalit të saj, në një periudhë kur ai ishte vetëm 8 vjeç. Sipas Muharemit, pas këtij rasti institucionet sociale ndërhynë menjëherë, duke e përfshirë nënën në programe mbështetëse për prindërimin dhe monitorim të vazhdueshëm. Ai thekson se pas kësaj ndërhyrjeje nuk u raportua më asnjë incident i ngjashëm.
Në një fazë të mëvonshme, File Bulkut iu ofrua edhe një banesë sociale nga Drejtoria Rajonale e Shërbimeve Sociale në Tiranë, por ajo zgjodhi të mos e pranonte këtë mundësi, një vendim që mbetet pjesë e realitetit të ndërlikuar që ajo ka përjetuar.
Rrëfimi i bërë publik nga Alfred Muharemi rikthen në vëmendje sfidat e shumta që një nënë e vetme mund të përjetojë: humbje personale, procese të ndërlikuara ligjore, paragjykime sociale dhe përpjekje të vazhdueshme për të garantuar mirëqenien e fëmijës së saj.
Përtej polemikave, kjo histori ngre një reflektim të fortë: sa e vështirë bëhet jeta kur një prind i vetëm, përveç dhimbjes personale, detyrohet të luftojë edhe për të siguruar të drejtën më bazike – një shtëpi të sigurt për fëmijën e tij?
Reagimi i plotë i Alfred Muharemit:
Kur kam qenë Drejtues i Qarkut Tiranë për Shërbimet Sociale, me Znj. File dhe djalin e saj sëbashku me Znj. @shutku_ariana e Njësisë së Vlerësimit dhe Referimit të Njësisë Administrative nr1 kemi marrë masat e nevojshme për ta mbështetur si vijon :
Znj. File ka qenë përfituese e programit të rindërtimit me VKB nr 8 datë 13.02.2021 por me ndarjen nga jeta të bashkëshortit, pronësia e pronës u tjetërsua duke u bërë bashkpronar dhe familja e të ndjerit të cilët edhe pas insistimeve tona nuk e përfituan programin pasi kishin qëllim që fëmija me spektrin autik të mos përfitonte pjesë duke u tërhequr nga programi.
Edhe për këtë gjë ata publikuan në emisionin Fiks Fare një material ku Znj. File ushtronte dhunë ndaj djalit kur ai ishte në moshën 8 vjeç gjë e cila me mbështetjen e shtetit u përfshi në programet e prindërimit dhe nuk pati më asnjë incident pas monitorimit nga struktura sociale.
Për Znj. File jemi kujdesur gjithë si aparat duke i ofruar mbështetje të vazhdueshme në pagesë, në shërbime multifunksionale dhe i garantuam një banesë sociale me kushtet më bashkëhore por nuk e pranoi kurrë për shkak se nuk donte të largohej nga banesa e saj sepse me të drejtë mendonte se nëse largoheshe nuk do të përfitonte asgjë nga lufta midis familjarëve.
Pra e kisha të nevojshëm këtë sqarim publik, pasi në mediat online po linçohet struktura sociale që ndaj Znj. File dhe djalit të saj nuk ka pasur aspak vëmendje nga qeveria. Jam i pikëlluar që linçohet puna e sektorit social në vend sepse falë këtij sektori me gjithë burokracit, me vlerësimin jo të merituar ku do donin kanë bërë punë heroike duke trajtuar çdo rast nevoje me humanizëm dhe pa orar.
Mirënjohje për gjithë kontributet që po mblidhen për Znj. File dhe djalin e saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



