Drejtoresha e QSUT-së: Unë nuk e di që mjekët u marrin lekë pacientëve
Anxhela Paparizo “nuk u beson dot veshëve”
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, së bashku me drejtoreshën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Anxhela Paparizo, zhvilluan këtë të enjte një konferencë për shtyp ku u diskutua situata aktuale e sistemit shëndetësor në vend.
Gjatë konferencës u trajtuan disa çështje që lidhen me funksionimin e spitaleve publike, ndërsa një nga temat kryesore ishte edhe problematika e mungesës së disa barnave dhe terapive për pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda.
Në fokus të pyetjeve të gazetarëve ishte edhe fenomeni i korrupsionit në spitale, një problem për të cilin qytetarët shpesh ankohen, duke pretenduar se u kërkohen para për shërbime që duhet të ofrohen falas.
E pyetur për këtë çështje, drejtoresha e QSUT-së, Anxhela Paparizo, deklaroi se nuk ka dijeni për raste të tilla dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë denoncim zyrtar pranë strukturave përkatëse për marrje parash nga ana e mjekëve.
“Në dijeninë time nuk kam njohur për marrje lekësh, nuk kemi asnjë denoncim në strukturat përkatëse për marrje lekësh nga mjekët”, u shpreh ajo.
Deklarata e drejtoreshës vjen në një kohë kur debati mbi transparencën dhe cilësinë e shërbimeve në sistemin shëndetësor publik mbetet një nga temat më të diskutuara në opinionin publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



