Drejtoresha e RTSH Eni Vasili, hyn në Librin Guinness

Rekord botëror në RTSH? Eni Vasili kërkon që një sistem i plotë HR dhe pagash të instalohet brenda 24 orëve
Duket se Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, synon të hyjë në Librin Guinness, jo për një program televiziv, por për një procedurë prokurimi që sfidon çdo standard normal të industrisë së teknologjisë.

Në një “Ftesë për Ofertë” të publikuar nga RTSH, institucioni kërkon blerjen e një sistemi të integruar për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe llogaritjen e pagave (HR/Payroll), një platformë që duhet të administrojë mbi 1,000 punonjës, të integrohet me sistemin financiar ekzistues “Financa 5”, të automatizojë proceset e pagave, të menaxhojë kontratat, lejet, dokumentacionin, raportimet tatimore e të sigurimeve shoqërore, si dhe të ofrojë nivele të larta sigurie dhe mbrojtjeje ndaj sulmeve kibernetike.
Në letër, bëhet fjalë për një projekt kompleks, i cili në praktikë kërkon analiza, migrim të dhënash, konfigurime, testime, integrime, trajnim të stafit dhe vënie në punë.
Por më pas vjen pika që ngre pikëpyetjen më të madhe.
24 orë për një projekt që normalisht kërkon muaj
Në fund të dokumentit shkruhet qartë:
“Afatet e lëvrimit: 24 orë nga lidhja e kontratës.”
Pra, kompania fituese duhet të dorëzojë një sistem të plotë, funksional dhe të integruar vetëm një ditë pas nënshkrimit të kontratës.


Ekspertë të teknologjisë së informacionit e konsiderojnë praktikisht të pamundur realizimin nga zero të një projekti të tillë brenda 24 orëve. Vetë dokumenti teknik kërkon:
- implementim të plotë;
- konfigurim të sistemit;
- migrim të databazës së personelit;
- integrim me sistemin financiar;
- testime funksionale;
- trajnim të përdoruesve;
- dokumentacion teknik në gjuhën shqipe;
- mbështetje dhe mirëmbajtje.
Vetëm procesi i analizimit dhe migrimit të të dhënave të një institucioni me mbi 1,000 punonjës zakonisht zgjat javë ose muaj.
Specifikime që ngrenë dyshime
Dokumenti parashikon gjithashtu që operatori ekonomik duhet të paraqesë dokumentacionin fizik brenda ditës së nesërme të punës dhe, nëse shpallet fitues, të dorëzojë të gjitha provat brenda 24 orëve.
Në praktikën e prokurimeve publike, afate të tilla kufizojnë ndjeshëm konkurrencën, pasi favorizojnë operatorë që mund të kenë qenë të përgatitur paraprakisht ose që disponojnë një produkt të gatshëm të përshtatur pikërisht sipas kërkesave të autoritetit kontraktor.
Një tjetër tender që ngre pikëpyetje
Ky nuk është rasti i parë që procedurat e RTSH-së ngrenë debat. Që prej emërimit të saj në krye të institucionit, Eni Vasili është përballur me kritika për një sërë procedurash prokurimi të konsideruara problematike.
Rasti i sistemit të burimeve njerëzore dhe pagave duket se i shtohet kësaj liste, pasi kërkon realizimin e një projekti me kompleksitet të lartë brenda një afati që, sipas praktikës së industrisë, konsiderohet jashtë çdo standardi normal.
Nëse dokumentet janë zbatuar ashtu siç janë hartuar, mbetet për t’u parë se cila kompani do të arrijë të instalojë, konfigurojë, integrojë, testojë dhe dorëzojë një platformë të tillë për vetëm 24 orë. Ky do të ishte një rekord jo vetëm për administratën shqiptare, por edhe për vetë industrinë ndërkombëtare të zhvillimit të sistemeve ERP dhe HR.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



