Miku dhe vartësi i Erion Veliajt, Ellton Kacidhja ka zgjidhur qesen dhe po shpërndanë paratë te oligarkët e naftës. Me datë 3 prill, Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka regjistruar një tender me objekt “Blerje karburanti për nevoja të Shoqërisë”.


Në dokument nuk përcaktohet se për çfarë konkretisht do të përdoret karburanti, por nuk përjashtohet mundësia që të sigurojë naftë për makinën e tij dhe të stafit, të cilët kurrsesi nuk mund të lëvizin në këmbë. Madje ata nuk e kanë menduar këtë gjë as në kohën kur ministrja Belinda Balluku dilte dhe iu kërkonte qytetarëve të kursenin duke shkuar në këmbë në punë.
Gjithsesi, një tjetër pikë që bie në sy në këtë kontratë është vlera e lartë e fondit limit. Sipas të dhënave të dokumentit, për këtë lot, përmes të cilit do të blihet naft,ë do të shpenzohen rreth 790 milionë lekë. Dhe sikur ndodh zakonisht me tenderë kaq të shtrenjtë, edhe këtë herë ky prokurim ka përfunduar në gojën e “ujqërve të tenderëve”. Fituesit janë Behar Çukaj dhe Fabian Goçi, ky i fundit bashkëjetuesi i deputetes demokrate Ina Zhupa. Prej secilës ka përfituar shumë tenderë pa garë nga institucionet publike.

Behar Çukaj dhe Fabian Goçi kanë marrë pjesë si bashkim operatorësh, pra paratë do të ndahen mes tyre. Por Goçi duket se do të përfitojë më shumë pasi ai ka përfshirë dy firmat e tij “A&T” shpk dhe 2A2F – L OIL shpk. Ndërsa Çukaj ka garuar me firmën e tij “Olsi shpk”. Dy biznesmen të njohur për abuzimet me tenderët dhe tre firma që kanë gllabëruar në arkën e tyre paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Edhe këtë tender duket se e kanë përfituar pa garë, sepse në dokument nuk paraqitet asnjë firmë tjetër konkurrente apo firmë skualifikuar.
Sikur përmendëm më lartë Fabian Goçi, duke pasur gruan deputet i janë hapur shumë rrugë tek prokurimet. Përveç këtyre dy firmave që i ka me pronësi të plotë, ai ka aksione dhe në disa firma të tjera. Përmendim këtu “Balkan Petrolium Internacional” ku Goçi është aksioner me 25 për qind

Një tjetër kompani është dhe kompania “Diga”, ku Fabian Goçi, rezulton të jetë aksioner me 15 për qind. Ndër të tjera, burri i Ina Zhupës, zëdhënëses së Partisë Demokratike, është aksioner me 25 për qind dhe tek kompania “Balkan Petrolium Albania”. Një tjetër kompani ndërtimi ku Fabian Goçi, është aksioner me 30 përqind, është firma ndërtimore “BA-Konstruksion”.
Ndërkohë edhe Çukaj përfiton para me një tjetër firmë të tijën, “BOLV OIL. Ai është denoncuar disa herë për mashtrimin e cilësisë së karburantit, për tenderë me “Red Flag” dhe sërish qeveritarët i besojnë kontrata me vlera të larta.
