Dosje të ndaluara, hetime të diktuara dhe marrëveshje për të mbrojtur njerëzit e pushtetit…
Më 1 shtator 2025, Aida Hajnaj do të largohet zyrtarisht nga detyra si drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Por ajo nuk ikën bosh. Në valixhen e fundit institucionale, Hajnaj mban me vete raporte, dokumente dhe prova që hedhin dritë mbi kapjen politike të SPAK-ut, duke hedhur akuza direkte ndaj vetë kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve të Prokurorisë së Posaçme.
Sipas informacioneve të siguruara nga Pamfleti, ish-drejtoresha e BKH-së ka depozituar pranë partnerëve ndërkombëtarë të SHBA-BE, si dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, një sërë raportesh që përmbajnë fakte të rënda për ndërhyrje të drejtpërdrejta politike në punën e prokurorëve specialë.
Dumani dhe Kraja në qendër të akuzave
Në qendër të këtyre dokumenteve, përmenden dy emra: Altin Dumani, drejtuesi aktual i SPAK-ut, dhe Arben Kraja, paraardhësi i tij. Sipas Hajnajt, të dy kanë ndjekur të njëjtën praktikë: çdo dosje sensitive, çdo hetim i bujshëm, është diskutuar më parë me Kryeministrin Edi Rama, për të marrë prej tij një “OK” të heshtur nëse duhej ndjekur penalisht apo jo.
Me fjalë të tjera, SPAK ka funksionuar si një zyrë varëse e Kryeministrisë, ku vendimet nuk janë marrë mbi bazën e ligjit, por mbi bazën e interesave politike të kupolës në pushtet.
Dosjet që duhej të vdisnin në arkivë
Raportet e Hajnajt përmbajnë edhe raster konkrete ku hetimet janë bllokuar, devijuar ose ndalur me urdhër politik:
-
Çështja “Gaçi-Xhaçka” – Altin Dumani kundërshtoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe, në koordinim me Ramën, e mbylli përfundimisht në Apel më 14 maj 2025.
-
Dosja “PPP-Sterilizimi” – Fillimisht Ilir Beqja u përjashtua nga
hetimi. Vetëm pas presionit ndërkombëtar dhe një vendimi gjyqësor për fondet e BE-së, u detyrua të përfshihej si i pandehur.
-
Çështja “Frida Krifca – AZHBR” dhe
ndërtimet në
Himarë – Hetimet janë devijuar, zvarritur apo ndërprerë me urdhra verbalë politikë.
-
Marrëveshja për ndalimin e hetimeve ndaj firmës “Salillari”, pavarësisht kallëzimeve konkrete për afera me fondet publike.
Në shumë raste të tjera, SPAK ka lëshuar urdhra ndaj BKH-së që pasonin sinjale të ardhura nga Kryeministria, duke e shndërruar një nga strukturat kyçe të reformës në drejtësi, në një vegël të kontrollit politik.
Për Aida Hajnajn, kjo ishte e papranueshme. Në përputhje me ligjin dhe frymën e marrëveshjeve ndërkombëtare që përcaktuan krijimin e BKH-së si një strukturë të pavarur, Hajnaj ka refuzuar urdhrat që binin ndesh me Kushtetutën dhe funksionimin ligjor të institucionit.
Kjo sjellje e ka bërë atë të padëshiruar në sytë e “kupolës” që kontrollon SPAK-un, dhe në fund, vendimi për të mos e rinovuar apo ricikluar mandatin e saj, është marrë në tryeza që pak lidhje kanë me garën apo transparencën.
Emërimi i ri dhe rreziku i kapjes totale
Burime të besueshme tregojnë se procesi për emërimin e një drejtuesi të ri të BKH-së është thjesht një garë e simuluar. Emri është vendosur më parë, dhe qëllimi është i qartë: të pastrohet terreni nga figura të pakontrollueshme, për t’u siguruar që çdo dosje, çdo hetim dhe çdo vendim i ardhshëm të mos dalë kurrë jashtë kontrollit politik të Kryeministrisë.
Por bombën e vërtetë, Aida Hajnaj e ka lënë pas. Dosjet e saj janë në duart e ndërkombëtarëve. Dhe pavarësisht përpjekjeve për ta larguar në heshtje, rrëfimi i saj mund të jetë fillimi i fundit për një drejtësi që e ka shitur shpirtin për një telefonatë nga lart.