Dronët rusë ‘kërcënojnë’ përsëri, Polonia merr vendimin urgjent
Polonia ka mbyllur përkohësisht një pjesë të hapësirës ajrore në juglindje të vendit, për shkak të “aktivitetit të paplanifikuar ushtarak”, ndërsa Rusia ka nisur një valë të re sulmesh ajrore ndaj Ukrainës.
Forcat e armatosura polake njoftuan se kanë ngritur avionë për të garantuar sigurinë kombëtare pas nisjes së bombardimeve ruse në disa qytete ukrainase. Sipas tyre, fluturimet janë veprime parandaluese për të mbrojtur hapësirën ajrore dhe qytetarët.
Mbyllja e hapësirës ajrore përfshin zonat pranë Lublinit dhe Rzeszovit dhe pritet të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit.
Sakaq, NATO ka rritur vigjilencën në Detin Baltik, duke përforcuar misionin mbrojtës me një fregatë dhe mjete të inteligjencës dhe mbikëqyrjes. Masa vjen pas incidenteve të raportuara me dronë në Danimarkë dhe Norvegji.
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi NATO-n dhe BE-në se “çdo agresion ndaj Rusisë do të përballet me një përgjigje të ashpër”. Gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Lavrov mohoi çdo synim për të sulmuar Perëndimin, por theksoi se Rusia do të mbrohet nëse provokohet.
Alarmet ajrore kanë qenë aktive në të gjithë territorin ukrainas që nga ora 03:00 GMT, ndërsa forcat ajrore të Ukrainës raportuan sulme me raketa dhe dronë në qytete si Kievi dhe Zaporizhia.
Zhvillimet e fundit rrisin shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të vendeve të NATO-s në përballjen ushtarake me Rusinë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



