FSHF “hap thesin” në prag të zgjedhjeve
Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit profesionist në vend, duke vendosur për një rritje të konsiderueshme të mbështetjes financiare për klubet e “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë.
Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, njoftoi këtë vendim, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm, me të ardhurat që do të vijnë nga komercializimi.
“Do të rrisim me 30% të ardhurat nga komercializimi dhe, në vitin 2026, do të shpërndajmë 3 milionë euro për klubet e Kategorisë Superiore dhe të Parë, si mbështetje direkte financiare për përmirësimin e funksionimit të tyre”, – u shpreh Presidenti Duka gjatë fjalës së tij në Asamble.
Mbështetja financiare do të shpërndahet gjatë periudhës ndërmjet dy asambleve dhe përbën një hap të rëndësishëm për rritjen e standardeve në menaxhimin e klubeve, rritjen e cilësisë së garës dhe krijimin e kushteve më të mira për lojtarët, trajnerët dhe stafet teknike.
FSHF është duke “hapur qesen”, pasi në fillim të vitit 2026 pritet që të mblidhet Asambleja Zgjedhore e këtij institucioni për zgjedhjen e Presidentit të ri me një mandat katër vjeçar. Zgjedhjet e fundit u mbajtën më 15 marsin e vitit 2022, aty ku Duka u rizgjodh për herë të gjashtë në krye të institucionit të futbollit dhe do të kërkojë mandatin e shtatë në krye të FSHF-së.