E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
DY IDIOTËT (Profesor Pilinci dhe Unë)
Lajme

DY IDIOTËT (Profesor Pilinci dhe Unë)

 

Haxhi Isufi

Një takim optimist sot me Profesor Pëllumb Pilinci. Ai tashmë është bërë shumë i njohur në rrjetet sociale përmes TV Shpresa. Profesori ka thënë se ka gati një Qeveri Teknike, e cila do ta çojë vendin në zgjedhje ku Parlamenti do të ketë 80 deputetë, 41 senatorë dhe një President të zgjedhur nga populli.

Në shumë komente që lexoj tek postimet e tij, e etiketojnë si idiot, të rrjedhur, madje deri aty sa thonë se e paguan Rama që ta fusë Ramën në burg. Dhe unë, si idiot që jam, vazhdoj ende të besoj se Presidentin duhet ta zgjedhë populli. Më mirë një president “kot” dhe “idiot” i zgjedhur nga populli, sesa një që zgjidhet nga dy veta. Kush e pyet popullin sot?

Profesori thotë se të gjithë të korruptuarit duhet të përfundojnë në pranga e t’u konfiskohen pasuritë. Shumë të tjerë thonë se “nuk i punon truri”. Profesori thotë se do ta bëjmë Shqipërinë me kufij natyrorë, ca thonë se “ka lajthitur”. Profesori thotë se pensioni do të jetë 600 dollarë, ndërsa ne të “zgjuarit” që marrim 100–200 dollarë e quajmë budalla. Profesori thotë se kapela e policit është e shenjtë dhe se rroga e tyre do të jetë 1200 dollarë në dy javë, ne themi “ky ia fut kot”. Profesori thotë se në këtë tokë nuk do të ketë drogë, ndërsa ne që nuk dimë ku i kemi fëmijët, themi se është i çmendur. Profesori thotë se pasuritë marramendëse të krimit do t’i kthehen popullit, ne – të vjedhurit e të masakruarit – themi se profesori “kushedi kë ka prapa”. Profesori thotë se Amerika e do Shqipërinë, ne themi “gënjen si derri”.

E çfarë nuk thotë Profesori dhe çfarë nuk themi ne!

Profesori thotë se do të kryesojë Qeverinë Teknike. Ne pyesim: po si?! Më kujtohet i ndjeri Bashkim Fino. Ishte duke luajtur bilardo dhe i thanë: “Eja, se je Kryeministri i Qeverisë së Pajtimit.” Ky është vend çudirash: një luante tavëll dhe e zgjodhën President; për një tjetër blenë tre vota; një tjetër donin ta hiqnin qafe dhe e bënë President; vetëm ky që kemi sot është zgjedhur “sagllam”, se nuk e di as vetë çfarë pune bën.

Profesori lëviz me makinë të blinduar, me flamurin amerikan dhe shqiptar. Ne themi: ku i gjen paratë? (Se me të tilla makina shkon vetëm ambasadori. Po të ishte ndryshe, do të dilnim të gjithë me flamur amerikan mbi makina, por – sa di unë – nuk lejohet.) Shumë nga ata që e tallin Profesorin, shkojnë ta takojnë fshehurazi, por ai nuk i pret.

Më kujtohet një herë: në pallatin tim banonte një profesor. Të gjithë banorët e quanin trap, budalla dhe të rrjedhur. Vetëm unë ngrihesha në këmbë kur kalonte, sepse ai dinte katër gjuhë të huaja, jepte mësim në universitet, ndërsa unë kisha vetëm shkollën e mesme.

E zgjata pak, por desha të them se Profesori, si “idiot” që është, e do kombin shqiptar. Dhe unë, si “idiot” që jam, besoj se ky vend do të bëhet. Do të bëhet me Profesorin, me Doktorin, me Piktorin apo me Jashtëtokësorin – ai do të bëhet.

Mund të flas shumë për Profesorin, por po e mbyll me një reflektim: kur e dëgjoj, më duket sikur jetoj në një ëndërr të bukur për vendin tim, për fëmijët, nipërit e mbesat. Dhe ndodh që thonë – ëndrrat edhe dalin.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.