E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dy standartet e (pa)barazisë së drejtësisë shqiptare
Lajme

Dy standartet e (pa)barazisë së drejtësisë shqiptare

“Arka me peshk e Rovenës VS 50 milionë eurove të Belës”

Në Shqipëri, drejtësia shpesh nuk flet me gjuhën e ligjit, por me zërin e pushtetit. Kur pushteti dëshiron të mbrojë dikë, shpik çdo lloj mburoje, madje edhe gjininë.

“Të mos arrestohet, është grua”, dëgjohet të thuhet sot për Belinda Ballukun. Por kur në vend të saj ishte Rovena Voda, askush nuk e tha këtë.

Të dyja janë gra. Të dyja zyrtare. Të dyja të akuzuara nga drejtësia. Por njëra s’kishte mburojë politike, ndërsa tjetra është pjesë e vetë sistemit që e mbron.

Rovena Voda u hetua, u ndalua, u dënua — për një arkë me peshk, disa dhurata simbolike dhe një celular. Belinda Balluku akuzohet për një aferë që peshon 50 milionë euro, por çdo mëngjes hyn në ministri, firmos dokumente dhe vazhdon të qeverisë si të mos kishte ndodhur asgjë.

Ky është dallimi brutal midis një nëpunëseje të zakonshme dhe një figure të pushtetit absolut. Njërës i vunë prangat brenda ditësh; tjetrën e shohin nga poshtë, me frikë apo me urdhër, ende nuk e dimë.

SPAK e ka marrë të pandehur, por nuk e ka pezulluar. Dhe ky fakt i vetëm mjafton për të kuptuar se drejtësia në Shqipëri nuk mat me ligjin, por me peshoren e pushtetit.

Dosja e Ballukut nuk flet për favore të vogla. Ajo përfshin manipulime në tenderin e tunelit të Llogarasë, një projekt kolosal me fonde publike prej gati 19 miliardë lekësh, ku dyshohet se janë ndryshuar kriteret për t’u dhënë kontrata kompanive të preferuara. Hetimi përmend shtesë abuzive prej 50 milionë eurosh, një garë të prishur dhe një fitues të paracaktuar.

E megjithatë, Balluku vazhdon të drejtojë ministrinë që është objekt i hetimit, të japë urdhra vartësve që janë po ashtu nën hetim, dhe të flasë për “drejtësi të pavarur” në ekranet televizive.

Në çdo vend ku sundon ligji, një zyrtar i akuzuar për korrupsion pezullohet menjëherë. Në Shqipëri, një zv.kryeministre nën hetim për tendera miliardash vazhdon të qëndrojë në detyrë, duke rrezikuar hetimin, zhdukjen e provave dhe ndikimin e dëshmive.

Në rastin e Rovena Vodës, drejtësia veproi si bisturi. Në rastin e Belinda Ballukut, ajo sillet si kurë qetësuese.

Ky është thelbi i sëmundjes sonë shtetërore, një sistem drejtësie që godet të voglin dhe përkëdhel të fortin.

Në një vend normal, një arkë me peshk nuk mund të peshojë sa 50 milionë euro. Por në Shqipëri, drejtësia duket se ka dy peshore, një për të pambrojturit dhe një për të pushtetshmit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.