E enjte, 22 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dyshime për korrupsion, SPAK pezullon nga detyra prokurorin Kledian Llaho
Lajme

Dyshime për korrupsion, SPAK pezullon nga detyra prokurorin Kledian Llaho

Prokurori i Sarandës, Kledian Llaho, është pezulluar nga ushtrimi i detyrës me vendim të Gjykatës së Posaçme, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Llaho është nën hetim për dyshime për korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë, vepër penale e parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.

Sipas SPAK, emri i prokurorit është regjistruar si person nën hetim më 6 janar 2025, në kuadër të procedimit penal nr. 73 të vitit 2024.

Nga hetimet paraprake dyshohet se Llaho ka kërkuar përfitime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte drejtpërdrejt edhe vjehrri i tij, shtetasi V.Gj. Dyshimet për veprime të kundërligjshme shtrihen edhe në raport me persona të tjerë.

SPAK bën me dije se prokurori dyshohet se ka abuzuar me funksionin e tij gjatë trajtimit të dy çështjeve penale, të regjistruara me numrat 774/2021 dhe 720/2024.

Vendimi i GJKKO-së

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi më 14 janar 2025 caktimin e masës së sigurimit personal “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, në bazë të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale.

Masa nënkupton pezullimin e Llahos nga ushtrimi i funksionit publik gjatë procedurës përkatëse.

Ndërkohë, në prill të vitit 2025, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) vendosi largimin e Kledian Llahos nga detyra si drejtues i Prokurorisë së Sarandës.

Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa dyshimet e ngritura ndaj prokurorit nuk përbëjnë provë përfundimtare të fajësisë së tij.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.