Dyshohet se u helmuan, 6 fëmijë përfundojnë në spital në Korçë
Gjashtë fëmijë që frekuentojnë një kopsht në qytetin e Korçës janë paraqitur me urgjencë në spital, pasi kanë shfaqur simptoma që dyshohet se mund të jenë shkaktuar nga një intoksikim ushqimor.
Të miturit janë dërguar për trajtim në repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po mbahen nën monitorim nga stafi mjekësor.
Sipas informacionit paraprak nga mjekët, gjendja shëndetësore e gjashtë fëmijëve është stabilizuar dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për jetën. Megjithatë, vijojnë kontrollet dhe vlerësimi mjekësor për të përcaktuar shkaqet që kanë sjellë simptomat.
Dyshimet e para janë përqendruar te ushqimi i konsumuar nga fëmijët në ambientet e kopshtit. Për të saktësuar nëse bëhet fjalë për helmim ushqimor dhe për të identifikuar shkaktarin, autoritetet shëndetësore kanë nisur procedurat e marrjes së mostrave për analiza laboratorike.
Në verifikimin e ngjarjes është përfshirë edhe Policia e Shtetit. Hetuesit po mbledhin të dhëna për rrethanat e rastit, ndërsa kontrollet pritet të përfshijnë edhe mënyrën e përgatitjes, ruajtjes dhe shpërndarjes së ushqimit që u është servirur fëmijëve.
Rezultatet e analizave laboratorike pritet të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut konkret të simptomave dhe nëse ekziston një lidhje mes ushqimit të konsumuar në kopsht dhe gjendjes së fëmijëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



